Pacolli: Sikur të kisha pushtet s’do ta lejoja Vuçiç që të diskutojë për Kosovën
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka komentuar deklaratat dhe vizitën e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç në Kosovë.Ai thotë se sikur të kishte pushtet, nuk do t’i jepte mundësinë Vuçiç të bëjë deklarata kundër shtetësisë së Kosovës.“Kryeministrit serb Vuçiç i them se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i civilizuar dhe garanton lëvizje të lirë të njerëzve nga dhe për në Kosovë”, shkruan Pacolli në Facebook.Për arsye se Kosova është shtet i lirë dhe garanton lëvizje të lirë, thotë Pacolli, Vuçiç i është mundësuar qëndrimi në Kosovë.“Dhe ju, z. Vuçiç keni shrytëzuar këtë të drejtë dhe keni ardhur në Kosovë. Mos harroni, z. Vuçiç se ju keni ardhur pikërisht në Republikën e Kosovës, dhe jo siç thoni ju, e "ashtuquajtur".- Ju keni vizituar minoritetin serb në Kosovë. Ju mund ta bëni këtë kur të doni por mos harroni se ju nuk keni të drejtë aspak të përziheni në punët e Kosovës.- Ju flisni për Trepçën dhe indoktrinoni njerëz, në të njëjtën mënyrë si paraardhësit tuaj, ju po e kuptoni për kë e kam fjalën.- Ju e dini mirë ku çon gjuha e tillë, z. Vuçiç!Unë sot nuk kam pushtet në Kosovë, por ju garantoj se po ta kisha atë juve kurrë nuk do t’ju ipej mundësia të diskutoni për gjëra që nuk janë çështje të juaja dhe për diçka që gjendet në territorin e Kosovës”, ka shkruar Pacolli.Pacolli thotë se e njeh mirë situatën katastrofale ekonomike të Serbisë dhe sipas tij do të ishte më mirë që Vuçiç të merrej me atë çështje dhe jo me Trepçën.“Deklarata juaj është fyese, arrogante dhe e papranueshme. Një rekomandim; shfrytëzoni vizitën tuaj, më shumë për të kërkuar falje për krimet e bëra në Kosovë, gjë që do t'i kontribuonte pajtimit të këtyre popujve për çka kanë shumë nevojë e jo të veproni, prapë po e them, si paraardhësi juaj, të hasmoni njerëz. Ju ende nuk e keni kuptuar se njerëzit tuaj po ashtu janë lodhur nga retorikat pseudo-patriotike e primitive”, ka shkruar Pacolli. /KosovaPress/