Interkonjeksioni, Gjiknuri: Pas Kosovës nis edhe linja me Maqedoninë
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri përuroi përfundimin e investimit prej 900 milionë lekësh në Hidrocentralin e Fierzës.Sipas Gjiknurit një investim i tillë sjell rritje të efiçencës së prodhimit, si dhe përmirësim të kushteve të punës.Gjiknuri: Rritet jetëgjatësia e kësaj vepre, rritet eficenca ekonomike dhe i ruhen vlerat një aseti shumë të rëndësishëm kombëtar. KESH është duke negociuar edhe një ristrukturim të të gjithë borxhit të saj, borxh i krijuar për shkak të falimentimit të sektorit dhe për shkak të keqmenaxhimit gjatë qeverisjes së kaluar. Kjo është një votë besimi për reformën në energji. Një votë besimi edhe për vet KESH, që BERZH do të hyjë me paketën më të madhe financiare të mbështetjes për këtë korporatë. Vetëm nëpërmjet ristrukturimit të kësaj kredie do të shpëtojnë miliona euro në vit nga ulja e interesave dhe fillimi i pagesave të principalit.I shoqëruar edhe nga administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Engjëll Zeqo, ministri Gjiknuri inspektoi edhe punimet e vendosjes së shtyllave të fundit në segmentin Koman- Fierzë ku bëri me dije se brenda qershorit do të inaugurohet edhe linja e interkonjeksionit me Kosovën.Gjiknuri: Po bëjmë unifikimin fizik të tregut energjitik shqiptar me tregun energjitik Kosovar. Ajo që e kemi quajtur ‘autostrada energjitike’ do të fillojë të funksionojë. Do të ketë avantazhe për të dyja vendet për shkak të natyrës së prodhimit të energjisë që kanë ata, me qymyr dhe natyrës sonë hidrike. Forcon lidhjet e Shqipërisë me rrjetin ndërkombëtar, duke e bërë Shqipërinë të avantazhuar në shumë drejtime si nga pikëpamja e tregtimit të energjisë, nga pikpamja e sigurimit të furnizimit, por mbi të gjitha do të sjellë siguri më të madhe edhe nga pikëpamja tarifore për konsumatorët shqiptarë sepse mundësitë e mëdha të tregtimit dhe shkëmbimit të energjisë sjellin stabilitet në çmime.Linja e re e interkojneksionit me Kosovën është financuar nga qeveria e Republikes Federale Gjermane me një vlerë prej 42 milion Euro për pjesën shqiptare të projektit.Ministri Gjiknuri bëri me dije se vitin e ardhshëm fillon linja me Maqedoninë për të cilën është siguruar tashmë financimi.