Masat për sezonin turistik, Prefekti i Lezhës: Do pastrohet e gjithë vija bregdetare

Në të gjithë zonat turistike të Lezhës, kryesisht përgjatë vijës bregdetare do të nisë pastrimi që periudha e sezonit, ta gjejë të pastër bregdetin e Shëngjinit, të Kunes, apo Tales. Ndërkohë rritja e temperaturave ka bërë që zona turistke e Shëngjinit të presë vizitoret e parë.Këtë sezon veror do të ketë një angazhim të të gjitha institucioneve përgjegjëse për t’ju ofruar shërbime dhe kushte të gjithë pushuesve që do të vizitojnë plazhet e Lezhës.Ky fakt është bërë i ditur nga prefekti i Lezhës Eduard Ndreca, sipas të cilit ka shumë shpejt do të nisë punë në pastrimin e zonave bregdetare si Shëngjini apo Kunia nga mbeturinat.Eduard Ndreca: “Ajo panoramë e pahijshme në hyrje të Shëngjinit të pastrohet dhe të mos ekzistojë në këtë gjendje kaosi që është sot. Mendoj që fillimi i sezonit turistik do ta gjejë gjithçka të rregulluar dhe vizitorët do të kenë një pamje komplet tjetër në hyrje të Shëngjinit. Kemi biseduar edhe me OSHEE të cilët janë shprehur shumë bashkëpunues me Drejtorinë e Shkodrës dhe me Drejtorinë e Lezhës në mënyrë që Shëngjini të kapërcejë dhe problemin e mungesës së energjisë elektrike në kohën e sezonit turistik”. Rritja e temperaturave ka bërë që zona turistke e Shëngjinit të presë vizitoret e parë, kryesisht gjatë fundjavave./Oranews.tv/