Amnesty International: Turqia po i kthen emigrantët pas në Siri
Organizata e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Amnesty International, ka lëshuar sërish akuza të rënda ndaj Turqisë, duke deklaruar se qeveria e Ankarasë po kthen një pjesë të emigrantëve në Siri. Në rast se lajmi do të rezultojë i vërtetë, Turqia mund të jetë përgjegjëse për shkeljen e ligjeve ndërkombëtare të cilat ndalojnë kthimin mbrapsht të azil-kërkuesve në një zonë ku ka konflikt të armatosur. Sipas Amnesty International, që prej mesit të muajit janar, qeveria turke ka deportuar të paktën 100 emigrantë çdo ditë.'Turqia po kthen mijëra emigrantë në Siri duke thyer kështu ligjet ndërkombëtare", është kjo deklarata e organizatës jo-qeveritare që mbron të drejtat e njeriut, Amnesty International, e cila bën me dije se që prej mesit të muajit Janar, qeveria e Ankarasë ka deportuar në Siri afro 100 emigrantë çdo ditë duke i kthyer ata sërish në një zonë ku ka konflikte të armatosura.Sipas tyre, azil-kërkuesit e kthyer janë kryesisht emigrantë të cilët nuk e kanë kryer ende procesin e regjistrimit. Megjithatë, Amnesty International ka njoftuar gjithashtu se ka patur raste kur janë kthyer edhe refugjatë të cilët janë regjistruar në Turqi si azil-kërkues. Në rast se një lajm i tillë do të rezultojë i vërtetë, atëherë qeveria e Ankarasë do të ketë thyer jo vetëm ligjet ndërkombëtare, por edhe marrëveshjen e firmosur së fundmi me liderët e Bashkimit Europian, sipas së cilës, Turqia është zotuar që të strehojë të gjithë azil-kërkuesit që kanë si synim mbërritjen në kontinentin e vjetër në këmbim të tre miliardë eurove dhe liberalizmit të vizave për qytetarët vendas.Kjo është hera e dytë që Amnesty International e bën problem Turqinë për situatën e emigrantëve brenda pak muajve. Më herët organizata e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dënoi edhe akordin e arritur mes BE-së dhe Ankarasë, duke thënë se marrëveshja nuk respekton të drejtën e azilantëve për të zgjedhur lirisht vendin se ku duan të kërkojnë azil.Ata vendosën në pikëpyetje gjithashtu aftësitë e Turqisë për të siguruar mirëqënien e emigrantëve. Sipas Amnesty International, qeveria e Ankarasë nuk siguron dot rendin për qytetarët e saj e jo më për emigrantët e shumtë të cilët ndodhen aktualisht në Turqi si dhe pjesës tjetër që pritet të kthehet nga Greqia./Oranews.tv/