Dy turistët e humbur gjenden në majën e malit të Korabit
Dy turistët të cilët kishin humbur kontaktet prej pasdites së djeshme janë gjetur në majën e malit të Korabit. Lajmi për gjetjen e turistit çek dhe francez konfirmohet nga policia e Dibrës. Atyre u ishin fikur celularët për shkak se nuk kishin bateri. Policia nisi kërkimet për gjetjen e turistëve prej pasdites së djeshme. Ata ishin parë për herë të fundit në fshatin Radomirë, pjesë e njësisë administrative të Kalasë së Dodës. Policia kërkoi ndihmë dhe të një helikopteri për shkak të terrenit të vështirë të pranisë së dëborës dhe temperaturave të ulëta.Sipas policisë lokale, pronari i banesës ku ata kanë bujtur, ka deklaruar se dy turistët kanë dalë në orën 06:00 të mëngjesit nga banesa e tij gjatë ditës së djeshme, duke shkuar drejt fushës së Korabit. Ata nuk janë kthyer më vonë, ndërsa u lajmërua edhe policia."Pas shumë orësh kërkimi shërbimet, e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen e shtetasve të humbur në Malin e Korabit të cilët kishin humbur rrugën. Turistët D.V, nga Franca dhe M.P nga Çekia, po shoqërohen në spitalin e Peshkopisë për një kontroll mjekësor", sqaron policia lokale./Oranews.tv/