Hafizi: Do të punoj kundër referendumit, votimi për Statutin do e kishte lakmi shoku Enver
Deputetja e Partisë Socialiste, Mimoza Hafizi thotë se do të angazhohet kundër referendumit të paralajmëruar për më 9 prill.Sipas saj, socialistët duhet t’i thonë JO këtij referendumi, pasi ai synon që të zëvendësojë zgjedhjet brenda partisë.Në një intervistë për “Panorama”, deputetja e Shkodrës thotë se referendumi do të mbahet mend si tentativë e paprecedentë për heqjen e të drejtës së votës.Hafizi: Në këtë situatë, ne do të kërkojmë të gjitha mundësitë për të kontaktuar socialistët e bazës e për të shpjeguar se pse secili prej tyre duhet të thotë me indinjatë: Jo Referendumit të 9 Prillit! Ky referendum, ky proces pa fushatë e pa kandidat, po tenton të zëvendësojë procesin e zgjedhjes së kryetarit të Partisë Socialiste, proces që nuk do të mund të zhvillohej pa fushatë e pa kandidat. Ky referendum do të kujtohet gjatë si tentativa më e paprecedentë për t’u hequr të drejtën e votës për kryetarin e tyre dhjetëra mijë socialistëve. Ky referendum do të kujtohet gjatë si tentativa më e paprecedentë për t’u hequr të drejtën e kandidimit anëtarëve të PS-së”.Gjatë intervistës, ajo thotë se statuti i ri nuk u miratua nen për nen qëllimisht për shkak se anëtarësia mund të ishin kundër një kryetari të përhershëm, duke shtuar se rezultatin do ta kishte lakmi edhe Enver Hoxha.Hafizi: Unë nuk e pranoj se në Kongres ishim pakica prej 3 vetash përkundër 1497 të tjerëve. Këtë rezultat do ta kishte pasur lakmi edhe shoku Enver. Në këtë kongres thjesht nuk u verifikua vota, e cila në demokraci kalon përmes kutisë së fshehtë. Dhe pikërisht këtë po kërkojmë prej muajsh, që të ndërtohet një proces kandidimi për kryetarin e partisë, proces me votim të fshehtë, me fushatë dhe me kandidatë alternativë. Vetëm atëherë mund të thuhet se cila është shumica dhe cila është pakica.E pyetur nëse ajo po përgatitet për tu bërë pjesë e një partie të re është përgjigjur në latinisht me shprehjen e famshme të Galileit: “E pur si muove”!/Ora News/