BE jep 150 milionë euro për infrastrukturën në Ballkan

Bashkimi Evropian ka çelur një fond prej 150 milionë eurosh këtë vit për vendet e Ballkanit Perëndimor, fond i cili do të shkojë për infrastrukturën rrugore në këto vende.Vendimi vjen në kuadër të Procesit të Berlinit, nisi në vitin 2014, proces i cili në thelb synon përshpejtimin e procesit të integrimit.“Nga evropiane kemi vendosur të vëmë në dispozicion një financim  të ndjeshëm për këtë vit, rreth 150 milion euro, si formë e një pakete investimi që synojmë ta prezantojmë në Paris. Është një shifër domethënëse për sa i përket projekteve që na janë prezantuar. Bëhet fjalë për pjesën më të madhe të projekteve, dhe jo ku secili vend do të ketë nga një, por ato që kanë ecur mjaftueshëm në përgatitjet për t’u zbatuar”, deklaroi sot nga qyteti i Durrësit, komisioneri evropian për Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.Në Procesin e Berlinit janë përfshirë 10 projekte të mëdha për vendet e rajonit, 6 prej të cilave kanë të bëjnë me transportin, ndërsa 4 të tjera me energjinë.Shqipëria përfiton ndërtimin e linjës së interkoneksionit me Maqedoninë si dhe financim për Korridorin e Kaltër.Dy projekte të tjera u paralajmëruan sot nga kryediplomati Ditmir Bushati, i cili përmendi rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës-Tiranë si dhe ndërtimin e një degëzimi drejt Aeroportit të Rinasit.Fondet e BE-së do të shkojnë edhe për të rinjtë, veçanërisht bashkëpunimi rinor midis Serbisë dhe Shqipërisë. Në Tiranë do të jetë edhe selia e Fondit për Ballkanin, i ngjashëm me atë të vendeve të grupit të Vishegradit.Krahas bisedimeve për mekanizmat e përforcimit të bashkëpunimit rajonal, në kuadër të procesit të zgjerimit së BE-së në rajon, patën një rëndësi të veçantë dhe diskutimet mbi hapat që do të bëjnë të mundur që Samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Paris, të  japë miratimin për projekte të reja të ndërlidhjes rajonale.  Të dhënat u bënë të ditura gjatë takimit të sotëm të 9 ministrave të rajonit në Durrës. /Ora News/