Policia “pastron” rrugën e Gjykatës nga makinat, gjobiten prokurorë e gjyqtarë

Ka qenë ora 10:00 e mëngjesit të së enjtes, kur në një operacion blic policia e rendit në Shkodër  dhe patrullat e përgjithshme ndëshkuan mbi 30 automjete, mes të cilave ato të cilësuara “vip” të gjykatësve, prokurorëve, avokatëve e noterëve në rrugën “Don Bosko” pranë gjykatës së shkallës së parë dhe Konsullatës së Nderit të Italisë.Të gjitha këto automjete ishin të parkuara në kundravajtje dhe në pak minuta përveç masave ndëshkimore me gjobë, u bllokuan dhe shoqëruan në komisariat 3 prej këtyre mjeteve pasi rezultonin pa siguracion të prerë, apo me mbi 12 gjoba të papaguara.Ndonëse tabela e qarkullimit rrugor ndalon parkimin e automjeteve në këtë zonë, prej vitesh gjykatës, prokurorë, avokatë e noterë parkojnë të pashqetësuar nga askush në këtë zonë të një rëndësie të veçantë, duke bërë që shpesh rruga të bllokohet, edhe pse makinat e policisë çdo ditë bëjnë shoqërimin e të ndaluarve për në gjyqet që zhvillohen në këtë gjykatë, duke vënë në vështirësi edhe këta të fundit.I gjithë aksioni është ndjekur edhe nga shefi i rendit në komisariatin e Shkodrës, Sajmir Rrustemi.Ndërkohë pas këtij aksioni, pritet që forcat e rendit sëbashku me patrullën e përgjithshme të ndërmarrin edhe aksione të tjera në pjesë të ndryshme të qytetit ku parkimi i paligjshëm i automjeteve është kthyer në një problem mjaft shqetësues për komunitetin.Paralelisht bëhet me dije se rruga e Gjykatës së Shkodrës do të mbahet në monitorim të vazhdueshëm dhe për këtë janë njoftuar drejtuesit e këtij institucioni.Operacioni policor në këtë zonë zgjati mbi 30 minuta dhe pas zhbllokimit të rrugës, një patrullë e policisë ka mbajtur nën monitorim situatën.Të pakta kanë qënë rezistencat e drejtuesve të këtyre mjeteve, kryesisht noterët dhe avokatët që kanë shprehur shqetësimin se nuk ka hapësira për parkimin e automjeteve të tyre.