Integrimi, Bushati takon homologun maqedonas në Durrës
Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, nisi punimet pasditen e së mërkurës në Durrës, me praninë e Komisionerit të BE-së për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn. Në çeljen e punimeve të ministerialit ishin të pranishëm dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke si kryesues i radhës i Grupit të Vishegradit. Në kuadër të ministerialit, shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati ka zhvilluar takime me homologun maqedonas, Nikola Poposki, Sekretarin francez të Shtetit Harlem Desir dhe Nën-sekretarin italian për Punët e Jashtme, Vincenzo Amendola.Sipas njoftimit të ministrisë së Jashtme, në bisedën me zyrtarin e Maqedonisë, palët u ndalën te marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe proceset e përbashkëta integruese.Integrimi i Shqipërisë, zuri vend edhe në takimin që Bushati pati me Sekretarin e Shtetit të Francës për çështjet Evropiane, ku u nënvizua domosdoshmëria e realizimit të reformës në drejtësi, si pika kryesore e hapjes së negociatave më Bashkimin Europian. Mbështetje për procesin e integrimit, dha edhe nën-sekretari italian për Punët e Jashtme Vincenzo Amendola.Në takimin me ministrin Bushati, palët vlerësuan marrëdhëniet mes vendeve dhe gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimet strategjike. Bashkëbiseduesit, evidentuan se bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë ka qenë tepër i suksesshëm në hapësirën Adriatike dhe mund të përbëjë një model në përballimin e krizave me të cilat përballet sot BE-ja.