"Trajneri i Vitit" - ankth për të pritur fituesin
Çmimi i FIFA-s, "Trajneri i Vitit", pritet të dhurojë një luftë po aq të madhe sa "Topi i Artë" pasi në garë janë disa prej teknikëve më në zë që kanë fituar trofe në edicionin e fundit në Evropë dhe kane dhuruar spektakël me skuadrat që kanë drejtuar. FIFA ka publikuar dje në mbrëmje listën me 10 kandidatët e mundshëm që mund ta fitojnë këtë trofe. Rivaliteti më i madh mes 10 të përzgjedhurve është mes Visente Del Boske që është trajner i Spanjës, Zhoze Murinjo teknik i Real Madrid dhe Pep Guardiola, ish-trajneri i Barcelonës.Del Boske shihet si kandidati më i fortë në garë, i ndihmuar nga fakti se ka arritur të drejtojë me sukses Spanjën në fitoren për herë të dytë radhazi të Kampionatit Evropian, falë edhe taktikave të tij ku bie në sy ajo e mospërdorimit të një sulmuesi të mirëfilltë në ndeshje. I dyti në listën e pretendentëve është Zhoze Murinjo, i cili e meriton të jetë kandidat pasi ka arritur të fitojë kampionatin spanjoll, duke pasuar triumfet e të kaluarës në kampionatin portugez, anglez dhe italian, si askush para tij. Ndërsa Guardiola tashmë në pension mund të votohet për shkak të simpatisë që shumëkush ka ndaj ish-trajnerit të Barcelonës për futbollin e paraqitur nga skuadra e tij ndër vite. Ndërkohë, në listë nuk mungojnë emra të tjerë të njohur, duke filluar nga Roberto Di Mateo i cili arriti të drejtonte Çelsin drejt fitores në Ligën e Kampioneve, Roberto Mançini që u shpall kampion në Angli me Mançester Sitin apo i zakonshmi Aleks Ferguson, trajneri i Mançester United.Emrat e tjerë që plotësojnë listën prej 10 trajnerve Jup Heinkes i Bajern Mynih, Jurgen Klop i Borusia Dortmund, Joakim Lëv i Gjermanisë dhe Çezare Prandeli i Italisë.