MAS: 9 futbollistët nuk plotësonin kriteret për pajisjen me pasaporta

Ministria e Arsimit dhe Sportit i është përgjigjur Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi institucioni drejtues i këtij sporti në vend e quajti të paprecedent bllokimin e proçesit nga ana e Ministrisë të paisjes me pasaportë shqiptare të 9 futbollistëve që janë pjesë e planeve për tu veshur kuq e zi, ku flitet për kombëtaren U17 dhe U21 dhe për përfaqësuesen U19 të femrave.Përmes një deklarate për mediat, Ministria sqaron se futbollistët në fjalë nuk plotësojnë kriteret ligjore për të marrë nështetësinë shqiptare.“Në rastet kur Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk ka propozuar dhënien e shtetësisë tek Presidenti i Republikës për disa futbollistë/e, kjo ka ndodhur për arsye se bazuar në dokumentacionin e secilit prej futbollistëve të depozituar në MAS nga Federata Shqiptare e Futbollit, ka rezultuar se këta futbollistë nuk plotësonin kriteret e parashikuara në nenin 9 të Ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare”, të ndryshuar, si dhe në ndarjen III, pika 2 të VKM nr. 554, datë 3.7.2013 “Për përcaktimin e procedurave për njohjen ose fitimin e shtetësisë shqiptare nga personat me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës”.Në pjesën më të madhe të rasteve, thekson MAS, lojtarët nuk kishin mbushur moshën 18 vjeç për tu pajisur me pasaportë.Në fund të deklaratës, Ministria e Arsimit dhe Sportit kërkon të qartësojë se është plotësisht në mbështetje të afrimit të talenteve që jetojnë jashtë në interes të përmirësimit të nivelit të sportit në Shqipëri.Megjithatë për momentin në Federatën Shqiptare të Futbollit nuk e mendojnë në të njëjtën mënyrë.