Ngordhja e midhjes,Panariti: 50% e farës e dëmtuar, të sigurohet prodhimi
Pas alarmit të ngritur për ngordhjen e farës së midhjes, Ministri i Bujqësisë ka zbritur në Butrint ku ka inspektuar nga afër situatën. Panariti u ka kërkuar kultivuesve të sigurojnë prodhimin, ndërsa tha se dëmi është në masën 50%. Përveç ngritjes së një fondi emergjence, Ministri theksoi se sfidë është eksporti i midhjes.Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti u kërkoi kultivuesve të midhjes në Butrint të sigurohen në mënyrë që në rast katastrofash të tilla të dëmshpërblehen nga kompanitë e sigurimeve.Gjatë inspektimit në Butrint, Panariti vlerësoi se 50% e farës së midhjes ka ngordhur dhe jo sa u deklarua më herët.Panariti: Nuk është e vërtetë që është dëmtuar 95% e farës, shkalla e dëmit mesatarisht është 50%. Sa i përket këtyre dëmeve ne tanimë kemi bërë vlerësimin dhe unë do të shikoj mundësinë nëpërmjet fondeve të emergjencës dhe alternativave të tjera në mënyrë që tu vij në ndihmë kultivuesve të midhjes. Por siç thashë dhe më përpara, zgjidhja definitive do të jetë sigurimi i prodhimit.Ministri i Bujqësisë e cilësoi sfidë miradministrimin e lagunës, duke respektuar ekosistemin.Panariti: Ky është vendi jo vetëm për prodhim, por është një vend, pasuri natyrore me vlera të jashtëzakonshme. Ndaj sfida është të ruhet një bilanc midis shpenzimit dhe ruajtjes së ekosistemit. Nuk ka prodhim pa sigurim, sepse askush nuk është në gjendje të parandalojë fatkeqësi natyrore siç ishte ky rast ku kishim temperatura të larta.Kritikave të Ministrit nuk i kanë shpëtuar kultivuesit, të cilëve u ka kërkuar që punën që marrin përsipër ta bëjnë me saktësi, në mënyrë që të nisë eksporti i midhjes.Panariti: Kësaj radhe o meremi dhe hapim eksportin dhe e vëmë në binarë. Përndryshe nëse nuk ecën më mirë jam i ndershëm dhe i them nuk merrem.Kultivuesit e midhjes në Butrint bënë të ditur se deri më tani nga temperaturat e larta të ujit kanë ngordhur rreth 3000 kuintal midhje dhe dëmi përllogaritet në 150 milion lekë të vjetra.