Ekonomia shqiptare, Sejko: Ecuria më e dobët gjatë pjesës së dytë të vitit
Ecuria e Ekonomisë shqiptare do të jetë më e dobët në pjesën e dytë të këtij viti si pasojë e ndikimit të krizës greke.Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi per here te pare se ndikimi krizës ekonomike që ka përfshirë vendin fqinj do të japë efektet edhe në ekonominë tonë.Përsa i përket nivelit të kredive të këqia, Guvernatori i BSH-së tha se janë ulur me 2%.Ekonomia shqiptare do të ketë një rritje më të ulët gjatë pjesës së dytë të vitit si pasoje krizës që ka përfshirë Greqinë.Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, renditi ndikimet që do vijnë nga kriza greke kur tha se në gjysmën e dytë të vitit rritja ekonomike do ngadalësohet.Sejko: “Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se gjysma e dytë e vitit mund të shënojë ritme më të ngadalta rritjeje, si pasojë e ndikimit të mundshëm negativ të ngjarjeve në Greqi. Megjithatë, marrëveshja e arritur në muajin korrik 2015, është pikënisje për normalizimin e situatës në vendin fqinj.Për rrjedhim, efektet më të mundshme në Shqipëri do të përqendrohen në rënien e përkohshme të aktivitetit tregtar dhe të remitancave, pa cënuar aktivitetin e sistemit financiar. Si të tilla, këto efekte pritet të jenë kalimtare. Nga këndvështrimi i politikës monetare, rëndësi të veçantë kanë projeksionet për rritjen ekonomike dhe inflacionin në një periudhë afatmesme. Ekonomia shqiptare parashikohet të ketë ritme më të larta rritjeje në dy vitet e ardhshme.”Niveli i kredive të këqia ndërkohë ka pësuar një ulje me 2%.Sejko shpjegon se kjo ka ardhur si rezultat i fshirjes së bilanceve nga bankat dhe nga ristrukturimi i kredive të dhëna. Sejko: “Portofoli i kredive me probleme u reduktua me rreth 2 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë, kryesisht në përgjigje të masave rregullatore që mori Banka e Shqipërisë në fillim të këtij viti. Ky është një sinjal inkurajues në drejtim të pastrimit të bilancit të sistemit bankar. Megjithatë, sipas planit ndërinstitucional të aprovuar të masave, ai duhet të mbështetet nga përmirësime ligjore dhe nënligjore, të cilat parandalojnë rritjen e kredive me probleme dhe mundësojnë një zgjidhje të shpejtë të tyre.”Rishikimin e buxhetit nga qeveria, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë e konsideron si një masë të domosdoshme në një kohë që niveli i të ardhurave pësoi rënie në gjysmën e parë të vitit.Sejko: “Në bashkëpunim me FMN qeveria ka vendosur të rishikojë buxhetin, si të ardhurat ashtu dhe shpenzimet. Sigurisht që nëse rast se të ardhurat do të ishin më të ulëta se niveli i parashikuar i planit kjo do të kompensohej me një reduktim shpenzimesh”.Banka e Shqipërisë la të pandryshuar normën bazë të interesit, duke e konsideruar atë të përshtashme për zhvillimet aktuale.