Përmbytjet në Tetovë, 20 shtëpi të rrënuara, 140 dëmtuar rëndë. 1 fëmijë i zhdukur

Uji që përmbyti Tetovën është tërhequr duke nxjerrë në pah dëme të mëdha materiale. Gurë të mëdhenj, dru dhe podrume të mbushura me ujë shihen në disa lagje të Tetovës, ndërsa gjendja më kritike është në fshatin Reçicë e Madhe.Banorët, të ndihmuar nga ndërmarrja komunale dhe makineria e rëndë, ende luftojnë me ujin dhe mbetjet e sjella nga vërshimet.Ndërkohë Shtabi i Emergjencës i ngritur lidhur me përmbytjet masive në Tetovë ka publikuar raportin e parë mbi dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe situatën në të cilën ndodhen zonat kritike të goditura nga katastrofa natyrore.Sipas këtij raporti: Fshati Shipkovicë është më i prekuri nga reshjet e shiut dhe vërshimet e mëdha të ujit.Deri tani shtabi i emergjencës në këtë fshat ka konstatuar 3 viktima, ndërsa një person eshte shpallur i zhdukur pasi trupi i tij nuk ëhstë gjetur ende. Si pasojë e përmbytjeve 13 persona të tjerë kanë marrë lëndime. Ndërkohë 113 persona janë të evakuuar nga 20 shtëpi të cilat janë terësisht të shkatërruara, ndërsa në terësi shtëpitë e këtij fshati kaë dëme të konsiderueshme materiale.Për shkak të defektit të sistemit të energjisë elektrike, ka mungesë të furnizimit me energji dhe ujë.Ndihma e shpejtë është pozicionuar në fshat dhe do të jetë në shërbim 24 orë. Ekipet e kërkim-shpëtimit që prej orëve të para të mëngjesit janë në kërkim të një vogëlusheje e cila rezulton si e humbur. Gjithashtu fshati ka nevojë për pastrim të pusetave të ujit dhe kanalizimit.Reçicë e Madhe dhe e Vogël – Nga vërshimet e djeshme 1 person ka humbur jetën, ndërsa janë dëmtuar 140 shtëpi, 50 automjete, 80 traktorë, 5 kamion me rimorkio. Edhe pse rruga kryesore është e pastruar, 4 rrugë të tjera mbeten të bllokuara. Për shkak të defektit të madh të sistemit për furnizim me ujë në Lagjen Reçicë e Madhe ka mungesë të ujit. Ekipet e EVN-së i kanë riparuar defektet në sistemin e energjisë elektrike dhe në këtë drejtim gjendja është e kënaqshme. Po punohet për pastrimin e rrugëve dhe shtratit të lumit i cili është i mbushur me gurë, drunj dhe mbeturina nga vërshimet e djeshme.Fshati Poroj – Përfaqësuesit e Shtabit të emergjencës së komunës nga ky fshat informojnë se po punohet në mënyrë intensive për hapjen e rrugës rajonale Tetovë-Jazhincë. Prej mëngjesit është punuar intensivisht në zhbllokimin e rrugëve të fshatit dhe pastrimin e terrenit nga drunjtë, gurët dhe mbeturinat. Gjithashtu raportohet për dëmtime në sistemin e ujësjellësit dhe në fshat ka mungesë të ujit i cili për momentin do të sigurohet përmes çisternave për ujë.Rruga e Banjës është e pakalueshme nga pjesa e sipërme për shkak të dëmtimeve. Nga informacionet e fundit mësohet se 21 automjete janë të bllokuara në pjesën e sipërme të rrugës, por njerëzit janë të evakuuar dhe janë jashtë rrezikut. Në pjesën urbane të Tetovës Njësia Territoriale kundër zjarrit, NPK Tetova dhe Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim kanë ndërhyrë në disa lagje më kritike si Blloku 70 dhe Dereboj, për largimin e ujit nga bodrumet e banesave dhe shtëpive. Gjithashtu është ndërhyrë në Spitalin Klinik të Tetovës. Problemi kryesor për ekipet në terren është mungesa e mekanizmit të pastrimit të rrugëve, oborreve dhe shtratit të lumit.Komuna e Tetovës u bën apel qytetarëve të zonave të prekura nga vërshimet të evitojnë konsumimin e ujit nga sistemi i ujësjellësit deri në momentin e kryerjes së analizave në laboratorët kimik dhe mikrobiologjikAutoritetet lokale përsërisin gjithashtu thirrjen për solidaritet në ndihmë të personave të prekur na përmbytjet.“Të gjithë ata që duan të ndihmojnë qoftë përmes donacionit, ushqimit, ujit dhe preparateve higjienike ose të marrin pjesë vullnetarisht në procesin e pastrimit të rrugëve, oborreve dhe shtratit të lumit në zonat kritike të dëmtuara nga vërshimet e djeshme mund të paraqiten në numrin 076 330 113, ose në postën elektronike [email protected], ose të vijnë direkt në ndërtesën e komunës së Tetovës”.