Kultivimi i duhanit, fermerët: Shteti të na gjejë treg, jo të na marrë mundin

Punojnë sa për të siguruar bukën e gojës, por kur edhe këtë ua mohojnë, fermerët e komunës Gur i Zi në Nënshkodër, me të drejtë revoltohen. Zona njihet për duhanin, pasi në këto toka nuk mund të kultivohet gjë tjetër.Për një dynym tokë këto familje marrin deri në 6 kg duhan të tharë, ndërsa çmimi shkon deri në 20 mijë lekë të vjetra, nëse është cilësi e lartë.Duke përfshirë dhe punën e tyre, këto familje nuk fitojnë asgjë, përveç xhirimit të parave të hedhura përgjatë gjithë vitit, kohë që i duhet një fermeri, që nga mbjellja e farës, deri tek vjelja e prodhimit.Por këtyre vështirësive, u janë shtuar edhe aksionet e ditëve të fundit që policia e Shkodres bëri në pikat e tregtimit.Shota Lazri, është nënë e 2 fëmijëve dhe e gjejmë teksa punon së bashku me djalin 15 vjecar në vjeljen dhe tharjen e duhanit që ka prodhuar këtë vit toka e tyre. Jetesën e ka të bazuar tek kjo kulturë ndaj thotë se nëse këto aksione do të vijojnë, atëherë familja e saj do të mbesë pa asnjë të ardhur.Ajo apelon që të gjendet zgjidhje, pasi bashkë me duhanin e këtij viti, në magazinën ngjitur me tokën ka edhe qindra kilogram të tjera të mbetura pa u shitur nga vitet e shkuara.Krah saj përveç bashkëshortit, punon edhe djali 15 vjeçar, i cili kohën e lirë nuk e kalon për tu argëtuar, por duke ndihmuar familjen për të siguruar të ardhura.Si kjo familje është edhe thuajse 90% e fshatit, të cilët sytë dhe veshët i kanë tek shteti dhe politika që ai do të ndjekë për të mbështetur këta fermerë. Sot 1 kilogram duhan shitet mesatarisht 5 deri në 6 mijë lekë të vjetra, ndërsa përpara këtyre aksioneve çmimi i tij ishte dyfish më i lartë.