Britania do të rrisë rojet private të sigurisë në hyrje të tunelit francez

Mbrëmjen e djeshme, Policia franceze bllokoi sërish emigrantë në Kanalin e La Manshit , pas deklaratës së Sekretarit të jashtëm britanik se kriza ishte nën kontroll.Qyteti është shndërruar në një pikë grumbullimi të emigrantëve që duan të hyjnë në Evropë për t'i shpëtuar varfërisë dhe dhunës në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.Ata duan të kalojnë ilegalisht për në Angli nëpërmjet tunelit, me shpresën e një jete më të mirë.Britania dhe Franca i kanë bërë thirrje vendeve të tjera të Bashkimit Evropian për të ndihmuar të përballojnë këtë krizë.Qeveria britanike tha se do të financojë një rritje të numrit të rojeve private të sigurisë të cilët do të patrullojnë në hyrje të tunelit francez.Sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond tha se qeveria kishte marrë masa të reja për rritjen e sigurisë në këtë zonë." Mendoj se kemi marrë masat e duhura për të përballuar këtë krizë. Javën e kaluar, numri i emigrantëve të paligjshëm arriti kulmin. Kemi marrë një sërë masash në bashkëpunim me autoritetet franceze dhe Eurotunel, të cilat po japin tashmë efekt dhe pres të japin një efekt akoma edhe më të madh në ditët e ardhshme. Kemi shtuar forcat kufitare në pikën e kontrollit, gardhet, rojet, të cilët do të ngadalësojnë vërshimin e emigrantëve. Do ta zgjidhim këtë problem" tha ai.Përpjekjet e grupimeve të mëdha të emigrantëve për të kaluar përmes tunelit që lidh Francën me Britaninë kanë sjellë zemërimin e banorëve të zonës e në disa raste kanë ndërprerë edhe qarkullimin e mallrave mes dy vendeve.Javën e kaluar ministri Britanik i emigracionit James Brokenshire premtoi se do të vendosej një pengesë e madhe për të ndaluar qasjen në rrugën e trenit pranë tunelit.Punëtorët po ndërtojnë një mur në një autostradë, afër kampit të njohur tashmë si '' xhungla '' ku rreth 3000 emigrantë jetojnë në harresë.Mbrëmjen e djeshme, qindra njerëz udhëtuan më shumë se dy orë në këmbë nga kampi ku qëndronin deri në perimetrin rrethues pranë tunelit, por u ndeshën me një prani të madhe forcash policore.Policët franceze, të pajisur me shkopinj gome dhe spraj lotues , kërkuan nëpër fusha, për të gjetur njerëz të cilët ishin fshehur në shkurre dhe bar të gjatë para se të kalonin kufirin.Në hyrje të tunelit qëndron një ushtar i armatosur francez i cili kontrollon kamionët për të kthyer këdo që ka arritur të kalojë gardhin. Sipas mediave franceze, nëntë persona kanë vdekur që nga fillimi i qershorit, në përpjekje të dëshpëruar për të hipur në trena dhe kamionë për të ikur në Britani.