Kukës, 23 mijë banorë prej tre muajsh pa ujë të pijshëm
Kriza e ujit, që ka përfshirë më shumë se 23 mijë banorët e qytetit të Kukësit, ka shkaktuar reagime të ashpra në Këshillin Bashkiak, i cili i ka kërkuar drejtuesve të bashkisë që të ndërhyet në mënyrë urgjente, pasi prej muajsh qytetarët furnizohen me ujë të pijshëm vetëm një orë në 24 duke rrezikuar shpërthimin e epidemive. Apbedin Oruci, këshilltar i majtë: “Është temperatura 50 gradë, ne duhet të bashkëpunojmë me policinë, ashtu siç ka bashkëpunuar policia me elektrikun, të bashkëpunojë edhe për ujin e pijshëm që të kenë banorët ujë”Tatjana Kërxhaliu, këshilltare e majtë: “Jemi në pikë të hallit, do na bjeri kolera, do marrim në qafë fëmijët tanë. Është problem mjaft shqetësues”Ndërsa këshilltarët e djathtë, kanë theksuar se çështja nuk duhet të mbetet deri këtu, por të nxirren përgjegjësitë për të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, duke lënë në mëshirë të fatit banorët, me keqmenaxhimin që i kanë bërë këtij ujësjellësi.Arif Rexhmati: “Uji i pijshëm do zgjidhet, dhe për ujin e pijshëm ka mundësi që dikush të mbajë përgjegjësi për gjëndjen katastrofike në të cilën kemi shkuar”.Prej më shumë se 3 muajsh, banorët e kateve të treta, të katërta dhe të pesta vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, pasi sasia e ujit të mbërrin në çezmat e konsumatorëve është shumë e ulët dhe nuk mjafton për tu ngjitur në katet e sipërme. Kjo situatë ndodh prej më shumë se 3 vitesh, cdo dtinë të verës, pasi ndërhyrjet e bëra në rrjetin shpërndarës janë të shumta, për mbylljen e të cilave asnjëherë nuk u morën seriozisht institucionet përgjegjëse.