Kuvendi i Kosovës miraton themelimin e Gjykatës Speciale mes debatesh

Me 82 vota pro, kundër 5 dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratoi themelimin e Gjykatës Speciale.Kuvendi i Kosovës ka miratuar të hënën pasdite me 82 vota për, ndryshimet kushtetuese, me të cilat hapet rruga ligjore për ngritjen e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.E gjithë seanca u përshkua me një debat të ashpër dhe akuza të ndërsjella si "tradhtarë e patriotë", ndërmjet atyre që mbanin qëndrim në favor të miratimit dhe atyre që ishin kundër.Kjo ishte hera e dytë që Kuvendi nxori për miratim këto ndryshime, pas dështimit për të bërë një gjë të këtillë në seancën e 26 qershorit, në mungesë të 5 votave.Forcat politike në opozitë kanë votuar kundër edhe kësaj radhe, përfaqësues të të cilave kundërshtojnë, atë që ata e quajnë ,“karakterin selektiv” në kuptimin etnik të Gjykatës.Miratimin e ndryshimeve e mundësoi ndryshimi i qëndrimit të disa deputetëve nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, të udhëhequr nga zëvendës kryeministri, Hashim Thaçi.Ngritja e Gjykatës së Posaçme për krime lufte u mundësua me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit prej 120 vendesh, si dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e minoriteteve.Partitë politike në opozitë, në seancën e sotme, para se të hidheshin në votim ndryshimet kushtetuese, debatuan për bazën ligjore që ka ose jo Kuvendi, për të riproceduar edhe një herë të njejtat ndryshime kushtetuese, të cilat nuk u votuan më 26 qershor.Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kërkuan që për riprocedim të kësaj çështjeje është dashur të respektohen procedurat ligjore.Tri subjektet politike në opozitë kishin edhe një mocion procedural, me të cilin kërkonin vendosjen në rend të ditës një Rezolutë për krimet serbe në Kosovë, mocion ky i cili nuk arriti të marrë vota të mjaftueshme.Megjithatë, miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të vështirë e kanë cilësuar edhe partitë politike në pushtet, PDK dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përfaqësues të të cilave kanë thënë se ngritja e Gjykatës është një detyrim ndërkombëtar, të cilin Kosova duhet ta përmbush.Ndryshe, Gjykata Speciale për Krime Lufte, apo siç do të emërohet me ligj si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendon të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj disa civilëve serbë gjatë luftës së fundit.Autoritetet më të larta ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Kuvendit që Gjykata të votohet, për të shmangur mundësinë që ajo të themelohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara./REL/