Paralajmërimi i Veliaj: Ndjekje penale vandalistëve dhe hajdutëve të skrapit
Hajdutët e veprave publike, apo ata qytetarët e papërgjegjshëm nga sot duhet të mendohen dy herë përpara se të shkatërrojnë historinë, kulturën dhe infrastrukturën e qytetit.Paralajmërimi vjen nga kreu i Bashkisë, Erion Veliaj.Veliaj: "Monumenti i Pavarësisë është pronë publike. Urat e Tiranës janë prona publike, muret e Tiranës janë pronë publike. Kush guxon të përdori grafikun, të heqë një tullë nga ura, të kryej nevojat personale poshtë urës, të dëmtojë veprat e artit apo monumentet historike dhe të kulturës në qytet, do procedohet penalisht. Ashtu si dikush vjedh një pronë, shkon në burg, kur dikush vjedh ose dëmton pronën e qytetit, pronën e bashkisë, pronën e të gjithë qytetarëve të Tiranës do të shkojë në burg. Ndaj dhe kjo është arsyeja se pse fillojmë këtë proces, t’ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që mbaroi koha kur vidhet një pusetë, mbaroi koha kur vidhen veprat e artit.Ndaj, ju kërkoj të gjithë qytetarëve bashkëpunim. Nëse shikoni akte vandaliste ju lutem telefononi Policinë e Shtetit ose Policinë Bashkiake. Por nga dita e sotme ndalohet rreptësisht dhe do procedohen penalisht kushdo që vandalizon punët publike, veprat e artit dhe çdo aset që është pronë e Bashkisë së Tiranës dhe pronë e qytetarëve të Tiranës".Deklaratën e bëri nga Monumenti i Pavarësisë, simbolikën e të cilit zgjodhi për të sartuar këtë aksion kundër vandalizimit.Veliaj: “Sot fillojmë një aksion kundër vandalizimit të qytetit tonë, katër vjet kanë qenë rrumpallë, çdo lloj cepi, ure dhe Monumenti përdorej si urinues publik. Sqaroj të gjithë qytetarët, kush ka vendosur të jetojë në Tiranë duhet të kuptojë se nuk urinohet në ambiente të kësaj natyre, sidomos kur janë simbole kombëtare pavarësisht se çfarë kundërshtish mund të kemi për shijet e Monumenteve të tilla, pavarësisht se gjysma e Monumentit 200 mijë dollarë ende nuk është paguar nga qeveria e kaluar dhe bashkia e Tiranës që porositi Monumentin.Këto nuk janë arsye që edhe me këto rezerva ne të mos ruajmë Monumentet që kemi. Kështu që në bashkëpunim me qëndrën e realizimit të veprave të artit dhe mjeshtrin e madh Agim Rada ne do të fillojmë punën që të gjithë Monumentet e Tiranës të jenë gati për festat e nëntorit dhe jo ti lëmë për minutë të fundit. Një nga arsyet se pse dy Drejtorët tanë ai i policisë bashkiake dhe i INUV janë këtu është se ky është vetëm fillimi i një procesi kundër vandalizimit të qytetit. Bashki do të thotë bashkë”.Duke evidentuar faktin se në Monumentit të PavarëSisë aktualisht i mungojnë 700 ton bronz të vjedhur për skrap, Veliaje shfrytëzoi për të dhënë një tjetër alarm: Bashkia është në krizë financiare.Veliaj: “Sot në këtë sfond mirë që nuk janë paguar 200 mijë euro për artistët dhe fonderinë e huaj që e ka prodhuar, por sot mungojnë 700 ton bronz që janë vjedhur dhe marrë për skrap. Qyteti është thuajse i falimentuar, mezi ka para të paguajë rrogat me Bashkinë që kemi trashëguar. Ne nuk kemi para të blejmë bronz të shtrenjtë”.Administrata e Bashkisë së Tiranës nuk do të ketë pushime në gusht, tha Veliaj.Veliaj: “Kemi anulluar pushimet në gjithë Bashkinë e Tiranës në muajin gusht, është e papranueshme që Bashkia të pushojë ndërkohë që ka pasur 4 vjet pushim. Ky është momenti dhe për të rikuperuar katër vjet që Bashkia ka qenë pushim”.