Daçiç justifikon Putin: Rusia është detyruar të njoh pasaportat e Kosovës
Vendimi për lëshimin e pasaportave nga Rusia për shtetasit kosovarë nuk është pritur mirë nga Serbia, pavarësisht deklaratave të moderuara të liderëve serbë.Në një prononcim për të përditshmen serbe “Blic”, Ministri i Jashtëm i Serbisë dhe ish-Kryeminstër i vendit, Ivica Daçiç, ka thënë se ky veprim i Rusisë nuk është një prelud për njohjen e Kosovës si shtet nga ana e Rusisë, por thjesht një pasojë e pranimit të Prishtinës nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.Vetë Daçiç ka shfajësuar mikun e tij të madh Putin me këtë deklaratë, duke u shprehur se pozicioni i Rusisë ndaj statusit të Kosovës mbetet i pandryshuar.Megjithatë “Blic” në faqen e tij të parë shkruan se tashmë ky hap është domethënës në raportet e Rusisë më Kosovën, teksa ky vendim konsiderohet i befasishëm nga mikja e madhe e Serbisë, Rusia.Ambasada ruse në Beograd ndërkohë njoftoi se qytetarët nga Kosova mund të hyjnë në Federatën Ruse vetëm në raste të veçanta, apo kur marrin pjesë në ngjarje sportive nën përfaqësimin e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik dhe Federatave Ndërkombëtare Sportive.Ambasada po ashtu ka theksuar se Rusia lëshon viza për kosovarët vetëm me proçedura të veçanta.“Qëndrimi i Rusisë ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar dhe ka bazë në ligjet ndërkombëtare dhe në rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244”, ka njoftuar Ambasada ruse përmes një komunikate për shtyp.