U mori pensionet e qershorit 50 pensionistëve, arrestohet postieri në Berat
Një postier në Berat ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet se ka përvetësuar pensionet e 50 të moshuarve për muajin qershor.Me kërkesë të Prokurorisë së Beratit, gjykata ka vendosur masën e sigurisë "arrest në burg" ndaj Klodian Xhaferraj.Nga hetimi i Prokurorisë së Beratit, nisur në bazë të kallëzimit të filialit të Posta Shqiptare Berat, janë krijuar dyshimet e arsyeshme se punonjësi i postës, në funksion të pozicionit të tij, ka pasur për detyrë të shpërndajë pensionet për muajin Qershor 2015.Por, ka rezultuar se shuma prej rreth 500 mijë lekë të reja nuk ka shkuar në destinacion, pra tek pensionistët.Shtetasi Xhaferraj është pyetur fillimisht nga prokuroria për këtë rast dhe ka pranuar se ka tërhequr shumat e parave për pensione në datat 18-19 qershor 2015.Por, lidhur me faktin se këto para nuk janë shpërndarë, ai ka nxjerrë justifikime të ndryshme, të cilat nuk konsiderohen të besueshme për organin e prokurorisë.Në këto kushte, Prokuroria e Beratit ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg", si person i dyshuar për veprën penale "vjedhje duke shpërdoruar detyrën", kërkesë e cila u pranua nga gjykata e Beratit.