Modeli Tauber dhe hendeku që ndan nga politika qytetare
Peter Tauber është sekretar i përgjithshëm i CDU, numri dy në partinë që drejton kancelarja Merkel, dhe kështu, një nga politikanët më me ndikim në Gjermani dhe politikën evropiane. Ai i përket brezit të 40 vjecarëve që kanë pasur sukses e karrierë në ciklin politik brenda CDU dhe që sot, shihen si pjesë të së ardhmes politike për këtë parti dhe politikën gjermane. Në aspektin krahasimor me Shqipërinë, Tauber mban post të njëjtë me dy politikanët tanë, Gramoz Ruci në PS dhe Arben Ristani në PD. Ky detaj nuk ka rëndësi dhe nuk përbën objekt komenti, por vlen për të krijuar bazën e krahasimit politik midis modelit politik të një vendi me demokraci funksionale dhe një vendi ku demokracia ende është premtim.Peter Tauber ka një CV të pasur të aktivitetit të tij politik e parlamentar. Gjithësesi një aspekt i aktivitetit të tij meriton vemendje edhe në një autorit të huaj, sic është auditori shqiptar. Përpara një jave Tauber shpalli nismën e tij për të kaluar një javë praktike pune në jetën sociale të komunitetit ku është zgjedhur. Nuk do jetë aty për fjalime dhe as për paradë mode, nuk do jetë për pushime dhe as për të gëzuar privilegjet e pushtetit. Ai ka zgjedhur të jetë aty si një koleg i thjeshtë i gjithësecilit që takon.Konkretisht, ditën e parë Tauber vizitoi një fermë private, ku bëri punë të thjeshta si cdo punonjës aty: ushqeu vicat dhe lopët, mjeli qumësht dhe bisedoi me fermerët për problematikat e tyre. Ditën e dytë shkoi një një punishte të shkrirjes së celikut me të njëjtat angazhime, kudo me uniformën e punonjësit, jo me kostumin zyrtar. Ditën e tretë kaloi orë të tëra me patrullën dhe njësitë e policisë rrugore dhe kriminale për të njohur më mirë përditshmërinë e aktivitetit të tyre, kurse një ditë më pas kaloi ditën duke punuar në një kompani që merret me lodrat e fëmijëve. Ditën e pestë iu kushtoi punës së bukëpjekësit në zonën ku ai vetë banon. Në raportimet mbi këto aktivitete nuk ka kamera televizive që e ndjekin nga pas, nuk ka staf politik dhe as bodigardë, nuk ka luks dhe as kostume, nuk ka selfe dhe as biseda imponuese ndaj qytetarëve me të cilët takohet dhe punon. Thjesht, foto normale aktiviteti dhe të gjitha në blogun e tij publik në rrjetet sociale. Kaq.Kjo është sjellja normale e një politikani normal në një vend normal dhe në konceptin e një demokracie serioze ku politikanët e shohin vetën si përfaqësues të problemeve qytetare dhe ku qytetarë e politikanë bëjnë jetë të njëjtë në një kontratë politike e sociale besimi. Kjo praktikë nuk është propogadistike (sic bënin dikur ne me dërgimet e drejtuesve tek klasa punëtore) dhe nuk imponohet nga askush (sic bënim dhe vijojmë të bëjme ne sa herë shefat partiakë urdhërojnë). Javë të tilla praktike nuk kanë vetëm vlerë personale, por mbi të gjitha profesionale: politikani e shfrytëson kohën maksimalisht për të përfituar nga jeta reale dhe për të njohur më nga afër ndikimin e vendimmarrjes politike tek qytetarët, tek biznesi, tek komuniteti, tek shtresa të ndryshme sociale dhe tek votuesi që e ka mandatuar.Po në Shqipëri? Cfarë bëjnë politikanët tanë? Janë me pushime. Dhe pushimet i kanë vertetë pushime, mundësisht në resorte turistike brenda e jashtë vendit. A imagjinohet dot që një politikan shqiptar të shkojë të ndihmojë ushqimin e bagëtive, montimin e lodrave për fëmijët, shkrirjen e celikut apo pjekjen e bukës? A imagjinohet dot që një politikan i lartë drejtues të lëvizë pa kamera, pa eskortë, pa staf, pa militantë mbështetës tek qytetarët, - pa e ditur më parë nëse ata janë mbështetës apo votues kundër tij? imagjonohet që ata të heqin dorë nga kostumet zyrtare dhe të veshin unforma pune, jo për spote elektorale, por për punë konkrete? Jo. As në skenarët më të mirë dhe as në montazhet më të përsosura politike. Në Shqipëri ndodh që politikanët e lartë udhëtojnë dhe bëjnë takime edhe në periudha pushimi, - shumica e të cilave lidhet me militantët, me bazën që kërkon punë, me interesa politike dhe pushteti, me klientelën apo porositë e shefave politikë. Kjo nuk është praktikë tek qytetarët, kjo është përpjekje për ti keqpërdorur qytetarët.Natyrisht që nuk mund të gjejmë dhe as të kërkojmë standarde sjelljeje të njëjtë midis politikanëve të modelit perëndimor me modelet tona postkomuniste dhe parademokratike, por kjo nuk është arsye të mos u kujtojmë këtyre të fundit cdo cast se nuk janë modeli që ka nevojë vendi dhe që na premtohet, se rruga drejt qytetarisë dhe Evropës është aq e largët sa axhenda ditore e tyre ngjan mëse një shekull e vonuar dhe se në monotoninë e ditëve që shtyjmë ka më shumë sjellje histerike sesa historike, ka konsum pafund retorikash dhe shumë pak shenja ndryshimi, vizioni e lidershipi për ndryshim e shkurtim të kohës që vijojmë të humbim. Peter Tauber dhe modele si ai, indirekt na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë këtë diferencë e kontrast të thellë midis demokracisë që duam, demokracisë që na është premtuar dhe demokracisë që na imponohet me konsensus apo rotacion të oligarkisë lokale.[caption id="attachment_403586" align="alignnone" width="640"]
Ne foto: Afrim Krasniqi[/caption]/Marre nga Shekulli/