Reforma në drejtësi, OPDAT dhe EURALIUS kërkuan votimin e dokumenteve sot

Mazhoranca votoi vetëm në parim dokumentet e hartuara nga grupi i ekspertëve të reformës në drejtësi, për ti lënë mundësi palës tjetër të sjellë amandamentet e saj.Në mbledhjen e Komisionit të posaçëm që mblodhi për herë të parë dy palët, opozita kërkoi votimin e tyre në shtator, pasi sipas saj nuk janë konsultuar më grupet e interesit dhe as Komisionin e Venecias.Vetë ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS të pranishëm në mbledhje nuk e kanë mbështetur idenë e opozitës për ti miratuar dokumentet në shtator.Rainer Deville, përfaqësues i EUROALIUS:“Në strategji ne nuk kemi paraqitur një alternativë të vetme, por opsione të ndryshme të zgjidhjeve dhe unë propozoj që ju sot t’i votoni këto dokumente dhe në fazën kur të vijmë te draftimi konkret i dispozitave, atëherë do të jetë momenti kur ne duhet të përcaktojmë zgjidhjet konkrete, alternativën e vetme. Ky proces i hartimit sigurisht që do të kërkojë me patjetër konsultime. Dhe për këtë unë ju ftoj që të gjithë të merrni pjesë pasi ky është proces më i vështirë, por sot duhen votuar”, tha Rainer Deville, përfaqësues i EUROALIUS.John Smibert, përfaqësues i OPDAT-it: “Ky është hapi i parë dhe në shumicën e vendeve ku ne kemi shërbyer, ky ka qenë hapi i parë për të ndërmarrë hapat e tjerë në vijim më të mëdhenj. Hapi i dytë , zgjedhja e Strategjisë ishte rezultat jo vetëm i dokumentit analizues, por njëkohësisht edhe i punës së bërë nga të gjithë kryetarët e komisioneve dhe bashkëkryetarët të cilët janë bazuar edhe në opinionet e tryezave. Ka qenë një proces dinamik i cili ka kaluar nga procesi i analizës në procesin e daljes në një strategji e cila do të adresonte problemet që janë hasur. Mendojmë që një proces i tillë do të konsiderohej një proces transparent, i hapur dhe që i shërben qëllimit. Vazhdoj në vijim të opinionit të kolegut tim që është një proces shumë i rëndësishëm i cili i paraprin një procesi si ai i draftimit të projektligjeve. Ju kërkuat opinionin tonë nëse ky dokument duhet votuar ose jo sot? Ky mbetet një mendim i juaji, por sikurse unë dhe kolegu im mbetemi besimplotë se ky është një proces i cili ka vlera për t’u votuar”.