Lufta e SHBA-së ndaj ISIS tejkalon 3 miliardë dollarë kosto!
Lufta pothuajse njëvjeçare e Shteteve tw Bashkuara kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri i ka kushtuar shtetit amerikan më shumë se 3 miliardë dollarë. Shifra bëhet publike në raportimin më të fundit të Pentagonit.Sipas shifrave të publikuara, deri në 15 korrik 2015, kostot operacionale të fushatës kundër ekstremistëve, e nisur zyrtarisht më 8 gusht 2014, ka kushtuar saktësisht 3,21 miliardë dollarë, ose mesatarisht 9,4 milionë në ditë.Shifra është gati dyfishuar që kur Shtetet e Bashkuara vendosën të zgjeronin operacionin e tyre edhe në Siri, përveç se në Irak.Në raport tregohen gjithashtu dëmet e shkaktuara nga ekstremistët sunitë që kanë shpallur Kalifatin Islamik në Lindjen e Mesme, ndërsa theksohet se përmes operacioneve të bashkërenduara nga ajri dhe terreni, është bërë e mundur që militantët të humbasin rreth 30% të territorit që kishin marrë në kontroll në zonat e banuara, duke bërë më të lehtë përballjen me ta.Të dhënat tregojnë se 70% e këtij fondi, më shumë se 2 miliardë dollarë, i janë akorduar operacioneve të forcave ajrore, që kanë kryer edhe sulmet mbi bazat e militantëve të ISIS në zona të caktuara për të ndihmuar veprimet në terren të ushtrisë irakiane dhe rebelëve të moderuar sirianë e kurdë.Megjithatë, sado e lartë mund të duket, shifra përbën vetëm 0,5% të buxhetit vjetor të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes./Oranews.tv/