Berisha: Të ulet mosha e votuesve në 16 vjeç. Patozi të nisë negociatat me Ruçin
Kryeministri Berisha ka propozuar sot që të ulet mosha e votuesve nga 18 vjeç në 16 vjeç.Në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha kërkoi nga kreu i grupit Astrit Patozi që ta konsultojë këtë propozim me kreun e grupit të PS-së Gramoz Ruçi por edhe me krerët e grupeve të tjera parlamentare."Para se të ndalem tek reformat që vijnë kësaj jave në Parlament do ti kërkoja kreut të grupit parlamentar të negociojë me Gramoz Ruçin dhe me krerët e grupeve të tjera parlamentare uljen e moshës së votimit në 16 vjeç. Janë me qindra të rinj të cilët më pyesin në facebok dhe me sms po ne a do të votojmë. Po ne pse nuk votojmë? Mirëpo po të rrimë ta mendojmë thellë moskonsiderimi i tyre dëshmon një prapambetje. Kjo është një gjeneratë kretësisht tjetër, e pakrahasueshme me asnjë gjeneratë të vetme në historinë e kombit. Kjo gjeneratë u mëkua që në ditët e para të jetës me vlerat e lirisë dhe është gjenerata e internetit që di më shumë se sa dinë 50-vjeçarët. ” tha Berisha.Kryeministri Berisha theksoi më tej se këtë praktikë e kanë zbatuar edhe disa vende të tjera ndërsa shtoi uljen e moshës së votuesve nuk duhet asgjë teknike por kërkon vetëm vullnet politik."Në këtë proces nuk ka asgjë teknike sepse çdo gjë e kemi automatike. Mjafton vullneti politik i forcave politike dhe në një kohë prej disa orësh prodhohen listat që përfshijnë të gjithë 16 vjeçarët e vendit. Shpresoj që bisedimet të ecin në frymen e duhuar pa politizime ndaj një akti që vetëm e fisnikëron procesin e votimit dhe e bën këtë vend të përfaqësohet me votë shumë më mirë se ç’përfaqesohej më parë” shtoi Berisha duke shtuar se falë këtij ndryshimi listës së votuesve i shtohen edhe mbi 100 mijë qytetarë çka sipas tij është shumë e mirëpritur.Kryeministri Berisha iu referua edhe ligjit të urbanistës për të cilin theksoi se bën të mundur që Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit të vendosë vetëm për veprat e një rëndësie kombëtare."Duke shftytëzuar përcaktimet kushtetuese sot ne kemi sjellë në Parlament amendimet e ligjit të urbanistikës me të cilat ne shkëputemi nga një praktikë e vjetër, të paktën 63-vjeçare në të cilat autoriteti i Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit shtrihej në gjithçka për të dëshpëruar shumëçka. Mbi bazën e ligjit të ri KKRRTSH-së do të ketë vetëm veprat e një rëndësie kombëtare kudo që janë ato janë, në qendër të Tiranës apo në Martanesh. Gjithçka tjetër është atribut i qeveritarëve vendorë. Merr fund praktika e neveritshme e përcaktimit të kateve dhe qosheve nga kryetari i KKRRTSH, pra i kryeministrit" shtoi BerishaGjithashtu kryeministri Berisha u zotua se 4 vitet e ardhshme qeverisëse do të bëhet i mundur plani i përgjithshëm rregullator i Shqipërisë."Ky është zotimi për urbanistikën e Shqipërisë së këtij shekulli dhe kjo është pjesa e progamit të ardhshëm. Prandaj do tju lutesh shumë që këtë ligj që mezi po e presin qytetarët e Tiranës sepse 11 vjet rresht i mashtroi zoti Rama. Për 11 vjet Rama së bashku me një grup të tij e trajtuan Tiranën si një plaçkë të tyre, përdorën studimet pjesorë për të ndërtuar kupolën miliardere të PS. Ndaj dhe unë kërkoj të përparësoni këtë ligj dhe reformat më të mëdha në historinë e vendit siç është edhe heqja e taksave për çdo makineri apo mjet që i shërben rritjes së prodhimit. Heqjen e TVSH-së mbi të ardhurat personale për të gjithë ata që kanë rroga nën 30 mijë lekë dhe heqjen e çdo detyrimi për të rinjtë mbi 3 vjet nga sipërmarrësi. Dhe unë ju gantoj se reformat do të vijojnë" shtoi Berisha.