50-vjetori i lindjes së Azem Hajdarit, Nishani e dekoron me “Urdhrin e Flamurit”
Kreu i shtetit Bujar Nishani, ka dekoruar sot me “Urdhrin e Flamurit” simbolin e demokracisë, Azem Hajdari. Ceremonia është zhvilluar në Presidencë ndërsa ishin të pranishëm bashkëshortja e tij, Fatmira Hajdari, pjesëtarë të familjes Hajdari, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, anëtarë të Kabinetit qeveritar dhe personalitete të tjerë.Presidenti i Republikës në fjalën përshëndetëse të mbajtur me këtë rast, u shpreh se "Azem Hajdari ishte njeriu i duhur, që erdhi në vendin e duhur, në kohën e duhur, me talentin, zotësitë, energjitë, përkushtimin e duhur, për të bërë punën e duhur me rendimentin dhe suksesin e duhur.“Azem Hajdari ishte nga ata individë tepër të rrallë që historinë nuk e tregojnë, as nuk e shkruajnë, as nuk e ndryshojnë, por me vullnetin e tyre të jashtëzakonshëm, me sakrificat e tyre sublime, historinë e bëjnë. Azem Hajdari ishte shembulli i rrallë kur një individ i vetëm është në të njëjtën kohë, bartës, shprehës dhe ekzekutues i vullneteve të të gjithë të tjerëve. Azem Hajdari ishte gjithashtu rast i dukurisë së çuditshme, kur një njeri i vetëm ndihmon të gjithë të tjerët më tepër se të gjithë të tjerët një njeri të vetëm" tha Nishani.Azem Hajdari lindi më 11 mars të vitit 1963, në qytetin e Tropojës ndërsa u vra më 12 shtator 1998 para selisë së Partisë Demokratike. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2002 dekoroi Azem Hajdarin me Urdhrin “Nderi i Kombit”.