Tiranë, vetëvritet ish-kryetari i shoqatës së arkitektëve Agron Jano
Vetëvritet kryetari i shoqatës së arkitektëve Agron Jano. Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme në banesën e Janos në kryeqytet ndërsa ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes.Dyshohet se shkak që Jano i ka dhënë fund jetës është gjendja e rënduar psikologjike ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.Agron Jano ka lindur në Fier, në vitin 1954. Është diplomuar si arkitekt në Universitetin e Tiranës në vitin 1977. Krahas aktivitetit projektues si arkitekt objektesh të rëndësishme dhe panairesh në Shqipëri, Francë, Itali, Gjermani, Zvicër, Portugali e Kosovë, ka marrë pjesë edhe në konkurse ndërkombëtare siç janë: Katedralja Ortodokse e Tiranës (2001), vlerësuar me çmimin e dytë; Studimi Urbanistik i Qendrës së Durrësit (2005), vlerësuar gjithashtu me çmimin e dytë; Parlamenti i Shqipërisë (në bashkëpunim me ark. Mario Campi dhe ark. Fabio Reinhart (2007), vlerësuar me çmimin e parë. Ka qenë kryetar i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë (2001-2008). Prej 1978 deri sot është pedagog i jashtëm pranë Departamentit të Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës.