Ministri i jashtëm malazez Igor Lukshiç, viziton sot Tiranën
Me ftesë të ministrit të jashtëm Edmond Panariti vjen sot për një vizitë dy ditore në Tiranë Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm dhe Integrimit Evropian i Malit të Zi, Igor Lukshiç.Sot në orën 10:00, Lukshiç do të zhvillojë një takim me ministrin e jashtëm Edmond Panariti ndërsa më pas do të nënshkruhet edhe dy marrëveshje, për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe për shkëmbimin e informacionit të klasifikuar.Në axhendën e vizitës, përveç bisedimeve zyrtare ndërmjet dy Ministrave të Jashtëm, janë parashikuar takime të zotit Lukshiç me Presidentin Bujar Nishani, me kryeministrin Sali Berisha, me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, me kryetarin e PS-së Edi Rama si dhe me Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Ekonomise,Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto.Në ditën e dytë të vizitës së tij në Tiranë, ministri malazez Lukshiç do të takohet me kreun e LSI-së Ilir Meta dhe me përfaqësues të minoritetit malazez në Shqipëri. Në kuadër të kësaj vizitë do të mbahet edhe Forumi Ekonomik Shqipëri-Mali i Zi.