Dilema e vështirë: taksë e sheshtë apo progresive?

Duket se dilema taksë e sheshtë apo progresive?, po përbën thelbin e debatit të politikave ekonomike apo zgjidhjes së mjaft prej problemeve të zhvillimit që ka Shqipëria sot. Aq shumë dhe me aq pasion flitet për këtë çështje sa të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë reciprokisht, për PD me një djall kur është fjala për taksën progresive dhe me një engjëll kur është fjala për taksën e sheshtë, dhe për PS, me djallin të mishëruar në taksën e sheshtë dhe engjëllinte taksa progresive.Ne ekonomistët, kur duam të përfshihemi në këtë debat rrezikojmë, ose të etiketohemi si militantë të një Partie apo lideri, sepse mund të mendojmë se njëri variant apo tjetri është më i përshtatshëm, ose më e pakta si akademikë që bëjnë teori e flasin në përgjithësi. Në këtë cilësim, në fakt ka një të vërtetë dhe një arsye të pranueshme: sa thellë në teorinë ekonomike apo praktikat e eksperiencat konkrete futesh në këtë lloj diskutimi? Sa më ngushtë ta shikosh qëllimin, efektet dhe administrimin e sistemit të taksave, aq më shumë rrezikon të ulësh eficencën e përdorimit të tij, aq më shumë mund të biesh në pozicione sektare e të njëanshme. Prandaj dhe konsiderohet si dilemë nga më të vështirat në politikat ekonomike që “nuk mund të zgjidhet me një të rënë të lapsit”. Prandaj mendoj se ky është ndoshta nga debatet më të frytshme që po bëhen në Shqipëri në kuadër të fushatës elektorale.Taksa e sheshtë: e mirë apo e keqe? Propozuesit dhe vendet aplikuese të saj argumentojnë se qëllimi dhe efektet e kësaj takse janë: thjeshtimi i sistemit fiskal dhe kosto e ulët e procesit të mbledhjes/llogaritjes e pagesës së taksave si nga qeveria ashtu dhe nga bizneset; rritja e të ardhurave fiskale në buxhet, pasi thjeshtimi zvogëlon informalitetin dhe rrit numrin e taksapaguesve; dekurajohet evazioni fiskal dhe stimulohet krijimi i vlerës së re apo të të ardhurave/fitimit; favorizohet neutraliteti fiskal në sensin që parashikimet dhe veprimet e agjentëve ekonomikë çlirohen nga frika dhe dyshimet për efekte të papritura apo të pallogaritura nga efekti i taksave. Problemet e hasura: nuk ka prova bindëse se kjo lloj takse stimulon në mënyrë direkte rritjen e produktivitetit të bizneseve dhe shton punësimin; nëse nuk ka një dysheme minimale për fillimin e aplikimit të këtij sistemi, ekziston rreziku që, në emër të totalit të taksave që duhen mbledhur, të ardhurat e ulëta të taksohen më shumë dhe më rëndë se të ardhurat e larta etj.Në cilin kontekst historik, politik e ekonomik modern fitoi “të drejtën e qytetarisë” kjo lloj takse?Në mënyrë të veçantë në vitet ‘70-‘80 në SHBA dhe Britaninë e Madhe. “Zonja e hekurt” Margaret Thatcher dhe Presidenti Reagan ndërmorën një revolucion ultra liberal nën moton “qeveria nuk është zgjidhje, pasi ajo është vetë problemi”, që d.m.th.,“problemet nuk i zgjidh shteti, por tregu”. Tiparet kryesore të kësaj reforme radikale, synimi kryesor i së cilës ishte nxjerrja nga recesioni dhe kriza e viteve ‘70 e dy prej ekonomive kryesore të botës, u fokusuan në zvogëlimin në minimum të “shtetit kujdestar (Etat-providence)”, reduktim masiv të taksave dhe thjeshtim të tij në një taksë të sheshtë e të ulët, privatizime masive, derregullimin e ekonomisë dhe çlirimin e forcave të tregut. Nën ndikimin e vlerave viktoriane për punën, rregullin, iniciativën e lirë dhe “self-help”, apo idetë liberale të Karl Poper, Friedrich Hayek, Milton Friedman, Arthur Laffer etj., presioni fiskal u reduktua në maksimum, shpenzimet publike u përgjysmuan, ekonomia dhe shërbimet u bënë pothuajse tërësisht private, thithja e kapitaleve dhe investimeve të huaja u kthye në kult etj. Ky konceptim dhe praktikë u përhap në gjithë botën dhe u servir si forma më e mirë “antisocialiste” apo“anti-keynesianiste” e menaxhimit të shtetit dhe ekonomisë. Momenti i dytë i rëndësishëm është“periudha e tranzicionit – nga shteti drejt tregut – që patën vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, përfshirë këtu dhe Rusinë” në fillim të viteve ‘90. Bullgaria, Rusia, Ukraina, Serbia, Sllovakia, Gjeorgjia, vendet baltike, Hungaria, Rumania, Republika Çeke, Shqipëria, Maqedonia etj., qoftë për të kopjuar “idhujt e tyre liberalë si SHBA apo Anglia”, qoftë për të zbatuar “paketat e axhustimeve strukturore të FMN”, qoftë “për stimulimin e rritjes ekonomike”, apo edhe për faktin se duhej të ndërtonin një sistem të ri atraktiv fiskal, pra të kërkonin një thjeshtim sa më të mundshëm të tij, privilegjuan taksën e sheshtë. Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria e zbatuan në nivelin 10%, Gjeorgjia 12%, Ukraina dhe Rusia 13%, Serbia 14%, Polonia 15%, Hungaria dhe Rumania 16%, Sllovakia 19%, Estonia, Lituania dhe Letonia 22-27% etj.Cili ishte thelbi i kësaj takse në tërësinë e modelit ekonomiko-social apo sistemit të kapitalizmit që po aplikonin këto vende? E thënë thjesht: “po taksoj pak, po ofroj pak shërbime publike…po krijoj një treg transparent e dinamik ku nëpërmjet iniciativës së lirë dhe mundësive njerëzit/shoqëria plotëson nevojat e saj”. “Meqenëse shteti/qeveria është një përdorues jo efektiv në prodhim, përdorimin e parave apo në menaxhimin e shumë shërbimeve publike…po ia lëmë individit, bizneseve që t’i prodhojnë dhe përdorin më me eficencë këto para e aktivitete”. Sipas kësaj filozofie, ngarkesa fiskale varion në nivelet 18-22% në raport me PBB. Në këto vende, nuk u tentua, ose në disa raste dështuan tentativat që pa prekur nivelin e taksave, shteti të ofronte më shumë shërbime publike. “Thembra e Akilit”: taksat e ulëta limitojnë mundësinë e zgjerimit të rolit të shtetit, kufizojnë spektrin e shërbimeve publike, dhe në rastin më të keq, ulin cilësinë e këtyre shërbimeve.A është ky sistem taksash varianti më i mirë? Më shumë se “varianti më i mirë”, pyetja duhet shtruar: a duhet ta zgjedhim këtë variant? Pikërisht sepse është një zgjedhje, përgjigjja kontekstualizohet dhe fillon e bëhet më subjektive. Qytetarët duan të jenë të taksuar pak, të mbajnë për vehte pjesën dërrmuese të të ardhurave dhe të përballen me tregun për marrjen e shërbimeve të nevojshme apo të dëshiruara? Apo, pranojnë që të taksohen më shumë në mënyrë që të kenë më shumë shërbime publike të ofruara nga shteti, që edhe ata që kanë të ardhura më të pakta të mund të kenë akses të barabartë në këto shërbime? A duhet të na dominojë thjesht logjika ekonomike e efektivitetit dhe stimulimit maksimal të rritjes ekonomike apo duhet të ekuilibrojmë “produktivitetin ekonomik me dhembshurinë dhe kujdesin social”? Kjo është një zgjedhje strukturore e rëndësishme për të cilën nuk mjafton vetëm interpretimi teorik, ekonomik, apo politik, por kërkon dhe një miratim të shumicës së popullsisë.Taksa progresive: e mirë apo e keqe? Ndryshe nga mënyra se si atakohet apo kritikohet kjo taksë, ideja e progresivitetit i takon babait të ekonomisë klasike Adam Smith-it dhe nocionit të tij të “kapacitetit kontribuues” (ability to pay), që pretendon një ndarje të barabartë të sakrificave që duhet të bëjë çdo kontribuues në proporcion me kapacitetet dhe të ardhurat e tij. Pra, ata që kanë më shumë mjete e mundësi duhet të kontribuojnë më shumë për shtetin dhe shoqërinë. “Sakrifica” që iu kërkohet atyre që fitojnë më shumë, pra duhet të paguajnë më shumë, nuk vlerësohet tek masa e progresivitetit apo shuma e paguar “më shumë se të tjerët”, por mbi të gjitha tek “utiliteti që kjo shumë ka për modelin social dhe funksionet e shtetit/qeverisë”. Argumentet kryesore të mbrojtësve të kësaj forme taksimi janë: duke taksuar më shumë të pasurit, iu krijon më shumë mundësi konsumi të varfërve (koncepti keynesianist); duke taksuar të ardhurat e larta luftohet akumulimi i kapitalit dhe përdorimi i tij për fitime akoma më të mëdha, siç është p.sh., rasti i krizës së fundit financiare (koncepti neomarksist); duke grumbulluar më shumë të ardhura në buxhet, shteti ka më shumë mundësi të ofrojë në mënyrë të barabartë e në një shkallë të gjerë shërbime publike të rëndësishme si arsimi, shëndetësia, infrastruktura, transporti, mbështetje sociale,etj. (koncepti social-demokrat); duke patur më shumë para në dispozicion, shteti mund të luajë lehtësisht rolin e arbitrit dhe ekuilibruesit në çështjet e kohezionit social, politikave ekonomike mbështetëse, etj. (koncepti etatist i kapitalizmit shtetëror); ata që fitojnë më shumë duhet të paguajnë më shumë (koncepti moral, etik).Kundërshtarët e saj e kritikojnë atë me këto argumente: taksa progresive është një mënyrë e kamufluar shpronësimi e konfiskimi, pra një shkelje e të drejtës së individit/kompanisë për të gëzuar në liri të plotë të ardhurat e siguruara në një treg të lirë; kjo lloj takse stimulon maksimalisht evazionin dhe “emigrimin” fiskal si dhe tentativat për t’iu shmangur detyrimeve; është një sistem taksash që ka kosto të lartë funksionimi si për shtetin ashtu dhe për bizneset, që është shumë i komplikuar në hartimin, dokumentacionin dhe realizimin e tij; është demotivues për rritjen e prodhimit dhe të ardhurave, ndërkohë që çdo mosfunksionim cilësor i administratës fiskale perceptohet si “abuzim, ndëshkim apo inkuizicion fiskal”; taksa progresive është në kundërshtim me efektet e pritura nga avantazhet krahasuese dhe specializimi i punës dhe prodhimit; është shumë e komplikuar dhe e vështirë të aplikohet në rastet kur kemi persona apo biznese që kanë të ardhura të çrregullta nga njëri vit në tjetrin; nxit shpërbërjen apo “parcelizimin” e bizneseve duke ndikuar negativisht në eficencën ekonomike; etj.Ku është tipike kjo lloj takse? Në shumicën e rasteve aplikohet në vendet ku aplikohet një sistem kapitalizmi social-demokrat, shtetëror apo korporatist si Gjermania, Franca, Suedia, Finlanda, Austria, Danimarka, Holanda, Japonia, por në version pjesor edhe në SHBA, Zelanda e Re, Spanja etj. Qëllimi kryesor i saj është “krijimi i mundësive për shtetin apo qeverinë që të mbajë në funksionim një model social të aftë e funksionues që garanton një rishpërndarje më të barabartë të shërbimeve e plotësimit të nevojave publike për shumicën dërrmuese të popullsisë, që të ngushtojë diferencat sociale e territoriale, që të ketë mundësi për të mbështetur degë apo sektorë të ekonomisë me rëndësi jetike për vendin, që të stimulojë konkurrueshmërinë apo shëndetin e sektorit bankar e financiar me paratë publike, etj. E thënë thjeshtë: “taksoj më shumë (në këto vende ngarkesa apo pesha fiskale varion nga 40-65% të PBB), por dhe ofroj më shumë shërbime e garanci publike në arsim, shëndetësi, transport, argëtim etj. Taksat e larta, të domosdoshme për këtë sistem, i krijojnë buxhetit të shtetit komoditetin që të financojë këto shërbime publike masivisht, dhe në varësi me traditat dhe kulturat kombëtare, edhe me cilësi të lartë.Në vendet tipike si Suedia, Danimarka, Finlanda, Norvegjia, Austria apo Franca, ekziston një kulturë shumë e hershme në pranimin nga popullsia të këtij lloji sistemi taksimi, ekziston një administratë fiskale eficente, e mirorganizuar dhe mjaft kompetente, ekziston një stabilitet relativisht afatgjatë në nivelin e të ardhurave apo fitimeve të individëve dhe bizneseve. Gjatë një fushate elektorale në Suedi, kur u pyet një kandidat për Kryeministër se si ka mundësi që ju nuk premtoni ulje taksash, ai u përgjigj se kjo do të ishte humbje e sigurt në zgjedhje, pasi njerëzit do ta pyesnin se çfarë shërbimesh do na mungojnë kur shteti të ketë më pak të ardhura në dispozicion? Në këtë grup vendesh, parë edhe në këndvështrimin e efekteve të fenomenit të “plakjes së popullsisë” dhe “shtimit të jetëgjatësisë”, nevojat për buxhete publike më të mëdha rrjedhin dhe nga shtimi i shpenzimeve të domosdoshme për “moshën e tretë”.A ka një “formulë magjike” dhe, a mund të jepet një konkluzion përfundimtar se “cila taksë është më e mira”? Konkluzion absolut: JO; konkluzion relativ; PO. Duke iu referuar përgjigjes së famshme të Aristotelit në Greqinë e vjetër se “nuk ka femër absolutisht të bukur apo të shëmtuar…thjesht, nëse tiparet e bukura mbizotërojnë ndaj atyre të shëmtuara, atëherë ajo është e bukur, apo e kundërta”, edhe në rastin e zgjedhjes së sistemit të taksave duhet bërë një bilanc i anëve pozitive dhe negative të çdo sistemi; i mundësive reale për ta aplikuar dhe pengesave; i ekzistencës së kulturës së nevojshme për t’u “përtypur masivisht nga popullsia e bizneset” kjo lloj takse; nga objektivat publikë që dëshiron të marrë përsipër shteti dhe qeverisja; nga eficenca e administratës dhe institucioneve publike për ta vënë në jetë atë; nga krahasimi me vendet e rajonit apo konkurrente, nëse kemi sistem taksash më penalizues apo më lehtësues në krahasim me to; nga lloji i kapitalizmit që duam të aplikojmë; etj.Shumica e vendeve të botës, veçanërisht ato anëtare të OECD, po orientohen drejt “sistemeve duale të taksave” që do të thotë, një “miks logjikash e sistemesh që integrojnë qëllimin e progresivitetit të mëshiruar në taksën e sheshtë” duke eliminuar në maksimum përjashtimet fiskale. Aktualisht janë të pakta vendet që aplikojnë “sisteme të pastra unike taksimi”. Tendenca e re bazohet në konceptin e “barazisë vertikale dhe horizontale” që do të thotë se kontribuesit që kanë të njëjtin nivel të ardhurash taksohen në të njëjtën mënyrë, pra 2 apo 3 taksa të sheshta për 2 apo 3 kategori të ardhurash. Vendet skandinave aplikojnë taksë progresive për të ardhurat nga puna, por taksë të sheshtë për të ardhurat nga kapitali; vende të tjera kombinojnë taksimin e sheshtë e të ulët për punën dhe konsumin me taksimin progresiv për kapitalin dhe pronën; një grup tjetër vendesh vlerësojnë si variantin më të mirë rritjen e vlerës së taksës së sheshtë (në nivelet 20-25%) duke e kombinuar këtë me dy masa të tjera: ngritjen e dyshemesë për aplikimin e kësaj takse në mënyrë që të mos preken shtresat e varfra dhe bizneset e vogla familjare dhe uljen e TVSH. Një grup tjetër vendesh aplikon taksë të sheshtë, por të diferencuar në përqindje në raport me të ardhurat, kapitalin, fitimin, pronën dhe konsumin, etj.Edhe në rastin e Shqipërisë, mendoj se ne duhet ta profesionalizojmë më shumë këtë diskutim, duhet të zgjerojmë diskutimin për të shumë më përtej “sistem absolutisht më i miri” dhe “absolutisht më i keqi”, “dështoi se nuk krijoi punësim” apo “ndershmëria kërkon që kush fiton më shumë paguan më shumë”, duhet ta depolitizojmë dhe deelektoralizojmë atë. Edhe për vendet më të zhvilluara të botës, vendimet për sistemin e taksave janë aktualisht nga më të vështirat dhe më të debatueshmet pasi aty ndeshen shkolla të ndryshme të mendimit ekonomik, përvoja të suksesshme e të pasuksesshme, interesa politike e ekonomike, filozofi e ideologji të kundërta, tradita e kultura të largëta me njëra-tjetrën etj.Burimi: Mapo