Morën peng studentin, gjykata e Krimeve i rikthen tre autorët në qeli
Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg tre personat të cilët mbajtën peng në banjën e një lokali, për tri ditë, studentin e Ekonomikut i identifikuar si Fatjon Xhafa. Togat e zeza dhanë "arrest me burg" për shtetasit Martin Shtenjarin, Bledar Vatën dhe Artur Kolpepën.Gjatë dëshmisë në seancën gjyqësore tre të akuzuarit kanë pranuar autorësinë e ngjarjes. Dy ditë më parë, teksa janë marrë në pyetje nga grupi i hetimit, tre të dyshuarit kanë treguar edhe rrethanat e rrëmbimit sipas tyre, ku sipas tyre motivi i ngjarjes lidhet me një detyrim financiar të 22-vjeçarit ndaj tyre.Autorët e ngjarjes kanë pohuar para hetuesve se Xhafa, kishte punuar si kamerier në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe në një moment, pa lajmëruar më parë, ishte larguar nga puna."Shuma e parave që i kërkuam babait të tij ishte një detyrim që ai kishte ndaj meje, pasi sa kohë ka punuar tek unë, e kam marrë dhe e kam çuar në shtëpi e në shkollë me makinë. Kam shpenzuar kohë dhe para dhe ai u largua pa na dhënë asnjë lekë", mësohet se është shprehur në Polici pronari i lokalit, Bledar Vata. Hetuesit thanë se edhe vetë i dëmtuari ka shpjeguar se nuk u kishte para borxh asnjërit prej autorëve që e mbyllën në banjën e lokalit për 72 orë.