Mediu takim me homologun Italian Clini në Malin e Zi

Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujerave, zoti Fatmir Mediu zhvilloi një vizitë zyrtare në Malin e Zi, ku pati edhe një takim shumë të rëndësishëm me Ministrin e Mjedisit, Ujërave dhe Tokës së Italisë, zotin Corado Clini. Takimi i përbashkët u përqëndrua në bashkëpunimin rajonal. Gjatë këtij takimi, Ministri Mediu shoqërohej nga një delegacion i nivelit të lartë të MMPAU.Duke e falenderuar zotin Clini për gadishmërinë dhe vullnetin që ka shprehur në vazhdimësi për të ndihmuar me projekte Shqipërinë, ministri Mediu i kërkoi homologut Italian mbështetje kryesisht në projektet e përbashkëta ndërkufitare rajonale, të cilat do të shërbejnë për një zhvillim të qëndrueshëm mjedisor në të gjithë rajonin. "Vetëm duke vepruar të gjithë në mënyrë të unifikuar, ne dhe fqinjët tanë mund të zhvillojmë zonat me ekosisteme jetike për rajonin, siç janë alpet, apo liqenet dhe lumenjtë e përbashkët që kemi me fqinjët" u shpreh zoti Mediu.Ministri italian Clini gjatë këtij takimi shprehu edhe një herë gatishmërinë e qeverisë italiane për të mbështetur vendin tonë në projekte rajonale dhe ndërkufitare që do të fokusohen në fushën e mjedisit. "Ne do të vazhdojmë të japim suportin tonë, si në projekte, ashtu edhe në logjistikë apo edhe burime njerëzore, për të trajnuar ekspertet tuaj. Gjithashtu ne do të mundohemi t'i japim përparësi CDM-ve (Clime Development Mechanisem), projekte të cilat do të shërbejnë si një gjenerator në fushën e mjedisit"- u shpreh zoti Clini.Në përfundim të këtij takimi, për të garantuar vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi të shkëlqyer, u ngritën edhe  grupe pune të cilat do të propozojnë projekte konkrete në fushën e mjedisit, ndryshimeve klimatike dhe energjive të rinovueshme.Me herët, gjatë qëndrimit në Malin e Zi, ministri i mjedisit Fatmir Mediu, pati edhe një takim me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Malit të Zi, zotin Peter Ivanoviç. Takimi u përqëndrua në fushën e bashkëpunimit në sektorin e pyjeve dhe atë të menaxhimit të ujërave dhe veçanërisht të basenit të lumit të Bunës për të shmangur përmbytjet dhe dëmtimet e prodhimeve bujqësore. Nga të dy palët tashmë është duke u punuar në shtratin e lumit Buna, duke konkretizuar në masa konkrete një volum të mirë të projekteve të nënshkruara për parandalimin e përmbytjeve. Që të dy ministrat  shprehen vlerësimin për grupet reciproke të punës, të cilët deri tani kanë ecur me ritme mjaft të kënaqshme.