Frika nga 8 Marsi
Para disa ditësh, një miku im shkruante se 8 Marsi ishte i frikshëm dhe se atë ditë më mirë të mbyllej në shtëpi dhe të mos dilte. Nëpër mjegullën ofenduese që mund ta ndiejnë shumë gra pasi dëgjojnë një humor të tillë të hidhur, u përpoqa të shoh atë që mund ta ndieja edhe vetë… Për çudi, megjithëse totalisht në tjetër “kamp” luftarak, kuptova se fjala e tij kishte cikur edhe një pjesë të mendimit tim të njëjtë dhe kishte hapur një portë delikate shpjegimi.“Frikën” do t’ia lë përfytyrimit letrar më shumë se shqetësimit gazetaresk, por tendencën drejt raportit jonormal që krijohet mes “gëzimit të festës” dhe “shqetësimit të kauzës”, kam për detyrë ta them ashtu si e kuptoj. 8 Marsi është tashmë një festë e njohur ndërkombëtare ku gratë mund të festojnë dhe të gëzohen, të dehen dhe të harrohen, sikurse edhe të protestojnë dhe të luftojnë. Pavarësisht këtyre, është një ditë e vetme e cila simbolikën e vet e ka te dita e lëvizjes socialiste të grave europiane në fillim të viteve 1900. Pavarësisht nga kauza kryesisht bolshevike e kësaj lëvizjeje, historia e 8 marseve ka ecur mbi konceptin e lirisë dhe të drejtave të grave, kundër të gjitha llojeve të dhunës dhe robërisë së tyre. Në këtë kontekst, 8 Marsi është festë e të gjitha grave nëse ato, pavarësisht nga shtresa dhe klasa shoqërore që përfaqësojnë, janë të rreshtuara në anën e të drejtave dhe lirive njerëzore.8 Marsi në botë është dita ku rithuhet ajo që e shqetëson pa masë shoqërinë njerëzore: varfëria e madhe, dhuna dhe mosrespektimi i personalitetit të gruas, mungesa e rolit të saj drejtues dhe lufta e vazhdueshme për minimizimin e rolit aktiv dhe me vlerë të saj. Dhe… varet se si e thua këtë gjë. Çdo vend ka mënyrën e vet të paraqitjes së 8 Marsit: festiv apo protestues, të zhurmshëm apo të heshtur. Festa e grave në Shqipëri është e krejtësisht e parashikueshme: dihet që do të bëhet ndonjë protestë e planifikuar, ndonjë konferencë dhe gjithashtu dihet që është një ditë pushimi për gratë. Punëdhënësit me një nënqeshje të lehtë u japin leje grave të ndërmarrjeve të shkojnë dhe të gëzojnë festën. Atë ditë ata bëjnë humorin e zakonshëm dhe të përvitshëm se “gratë kanë nevojë të festojnë”, se “është dita e tyre” dhe nën këtë buzëqeshje ironike sanksionojnë akoma më shumë pavlefshmërinë e rolit të tyre në udhëheqje. Në mendjen dhe kujtesën e tyre historike, një festë grash është vetëm një ditë – festa e burrave, gjithë vitin. Natyrisht që në asnjë vend të botës ku të drejtat e grave janë në një stad të lartë, 8 Marsi nuk ka kaluar vetëm dhe kryesisht nëpërmjet festimeve argëtuese. Në këto vende, për gratë e angazhuara çdo ditë ka qenë një 8 Mars, ato nuk e kanë reshtur luftën e tyre për liri dhe barazi. 8 Marsi ka qenë thjesht një simbolikë, por jo thelbi i betejës.Shqipëria, si një vend me problem të pafundme në fushën e të drejtave të individit, ku gratë janë akoma të papërfillura në shoqëri, ka krijuar një fasadë ambigue; nga njëra anë me përpjekje të vërteta, nga ana tjetër me falsitet të përkryer. Me sa duket kësaj të fundit i referohet edhe opinioni i të njohurit tim që e quan 8 Marsin të frikshëm. Ambiguiteti ka nevojë për balancën e vet në mënyrë që të ketë një shpjegim të arsyeshëm dhe t’i shërbejë pozitivisht qëllimit. Nëse krahas përpjekjeve që bëjnë gratë e angazhuara për të ndryshuar gjendjen (dhe këto nuk janë të pakta në këto 22 vjet të demokracisë fëmijërore shqiptare), më shumë vend zë veprimi i përhershëm i psikologjisë sonë i “të bërit sikur”, asaj që më troç do ta quaja i falsitetit tonë. Përpjekjet për angazhimin e grave në politikë janë më tipiket në këtë rast. 30 përqindëshi i famshëm në politikë është një nga temat më qesharake ku vetë gratë janë futur në një kurth nga ku nuk dinë të dalin. Dhe kjo shoqërohet me aksione sipërfaqësore politike, me slogane dhe me dashamirësi qeveritare që nuk përfaqësojnë aspak problemet e vërteta të grave, por vetëm plotësojnë axhendat e partive. Dhe ironikisht, ajo pjesë e grave që vërtet janë dedikuar për kauzën e tyre, nuk munden dot të kundërshtojnë këtë lloj formati. Aq më keq kur (me gjithë falsitetin e mësipërm), nuk ka një bashkëpunim të natyrshëm të këtyre strukturave: grave të shoqërisë civile dhe aksioneve të politikanëve. Nuk flas këtu thjesht për strategji në letër apo hartime ligjesh, por për një bashkëveprim të ndier që vjen si rezultat i shqetësimit të përbashkët për të ndryshuar gjendjen e dhunës ndaj grave dhe psikologjisë ndaj sheriatit.Jam përherë e mendimit se ndryshimet e mëdha në jetën e femrës do të vijnë nga vetë ajo. Por jam edhe e vetëdijshme se gratë shqiptare nuk mundin dot të shkëputen nga psikologjia patriarkale e tyre, se janë ato që gjenerojnë modelin e burrit të fortë dhe femrës së dobët, janë ato që rreshtohen në thirrjen më të parë të aksioneve “të bëjmë sikur” të partive politike, janë ato që pranojnë rolin e militantit të devotshëm… Dhe, për fat të keq, janë ato që mendojnë se festa e 8 Marsit është thjesht një ditë pushimi për të mbushur restorantet dhe për të shpërndarë adrenalinën femërore, edhe thjesht t’u futur “frikën” burrave.Burimi: panorama.com.al