KQZ, miraton modelin e fletës së votimit për Fierin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sot modelin dhe specifikimet teknike të fletës së votimit që do të përdoret në Qarkun e Fierit, i cili do të jetë qarku i parë në vend që do t’i numërojë votat në mënyrë elektronike.Në relacionin që shoqëron vendimin që pritet të marrë KQZ theksohet se për modelin dhe specifikimet teknike të fletës së votimit për Qarkun Fier, administrata e KQZ ka bashkëpunuar me ekspertët e kompanisë fituese (INDRA) e cila do të realizojë projektin SEN në Qarkun Fier.Kështu, administrata e KQZ-së specifikon dhe pamjen vizive të kësaj flete, e cila do të ketë një gjerësi prej 420 mm dhe një gjatësi 297 mm. Ajo do të ketë ngjyrën portokalli dhe shkronjat në brendësi do të mbajnë ngjyrën gri. Por elemente të sigurisë gjenden në pjesën e pasme të kësaj flete. Kështu, në të do të vendoset numri i Zonës se Administrimit Zgjedhor dhe numri i Qendrës së Votimit.Një element shtesë i cili do të jetë kyç për teknologjinë e votimit elektronik është dhe barkodi, ose thënë ndryshe elementi teknik në formën e një kodi. Ai do të përmbajë në vetvete numrin serial të përbërë nga gjashtë shifra, emrin e qarkut të përbërë nga dy shifra, zonën e administrimit zgjedhor të përbërë nga dy shifra, numrin e qendrës së votimit të përbërë me pesë shifra dhe numrin verifikues të votuesit të përbërë nga një shifër.Ky barkod do të jetë elementi që do të regjistrohet nga makineritë e numërimit elektronik dhe po kështu do të sigurojë që një votë të mos lexohet më shumë se një herë nga pajisjet elektronike. Po kështu, në pjesën e pasme të saj, kjo fletë e destinuar për t’u lexuar në mënyrë elektronike do të ketë dhe instruksione të shkruara në lidhje me përdorimin e saj. Ashtu si dhe fletët e tjera normale, fleta e Qarkut të Fierit për votimin elektronik do të ketë dhe vulën e qendrës së votimit, të vendosur në një kuadrat me përmasa 80 mm gjerësi dhe 100 mm lartësi.Ajo gjithashtu do të jetë e pajisur dhe me një shirit elektronik, i cili ashtu si dhe fleta e votimit do të mbajë ngjyrën portokalli dhe do të ketë një gjerësi prej 24 mm dhe një lartësi prej 297 mm. Ky shirit elektronik është dhe një tjetër masë shtesë sigurie në lidhje me votimet e 23 qershorit në Qarkun e Fierit.