Berisha me gazetarët: Ekonomia shqiptare, në vitet e krizës, nuk njohu recension
Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e sotme në selinë e Kryeministrisë, një bashkëbisedim prej afro 2 orësh më gazetarët.Në këtë takim Berisha është shprehur se Shqipëria përballoi me sukses krizën ekonomike të eurozonës, krizë kjo e cila ka pllakosur partnerët tanë më kryesorë, Italinë dhe Greqinë.“Në kushtet e kësaj krize, do ishte normale të mendohej se ekonomia e vogël e Shqipërisë, do të ishte viktima e parë dhe ndër më të rëndat e kësaj krize, por kjo nuk ka ndodhur. Kjo krizë ka patur pasqyrimet e saj në ekonominë shqiptare, por asnjë nga këta faktorë me gjithë ndikimin e tyre, nuk ka arritur ta “gjunjëzojë” këtë ekonomi. Ekonomia shqiptare, në vitet më të vështira të krizës, nuk njohu recension, por ruajti një rritje ekonomike nga 3-4%, rritje kjo 4 herë më e madhe se sa rritja mesatare e rajonit”, u shpreh Berisha.Më tej kryeministri Berisha në lidhje me deklaratat e opozitës për të hedhur poshtë të dhënat dhe statistikat për ekonominë shqiptare, është shprehur: “ Opozita ka shpallur me qindra herë se ekonomia shqiptare është në krizë, se buxheti nuk ka para për rroga, se rrogat nuk do të paguhen, se po ecet drejt një falimentimi të plotë. Sot çdo gjë është globale, por asgjë nuk është më globale se ekonomia.”Kryeministri Berisha i është referuar më pas edhe deklaratave më të fundit të personaliteteve të institucioneve më kryesore financiare ekonomike botërore, për ekonominë e Shqipërisë.Në deklaratën e Bordit Ekzekutiv të FMN-së për Shqipërinë, në datën 11 Janar 2013 thuhej: “Shqipëria ka arritur me sukses të shmangi ngadalësimin ekonomik prej vitit 2009. Drejtorët I përgëzuan autoritetet shqiptare për politikat e drejta që bën të mundur rritjen ekonomike në mes të krizës financiare globale. Drejtorët i përgëzuan autoritetet shqiptare për politikat që kanë garantuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar.”Po Kështu kryeministri ka vazhduar më edhe me deklarata të tjera, si ajo e Shefit të Misionit Të FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, Zv.Presidentit të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qëndrore, Philippe H. Le Houerou, Drejores në vend dhe Koordinatores rajonale për Evropën Juglindore, Jane Armitage, Presidentit të BERZH-t, Suma Chakrabarti, Ministrit të Financave të Italisë, Vittorio Umberto Grilli, Raportit Botëror të Investimeve 2012 UNCTAD, Progres Raportin 2012 të Bashkimit Europian për Shqipërinë, të cilat Berisha i ka quajtur si një seri vlerësimesh Europiane dhe Botërore për ekonominë shqiptare që faktojnë se ekonomia shqiptare i rezistoi krizës falë reformave të thella që u ndërmorën para fillimit të krizës.“Këto vlerësime faktojnë që i rezistuam krizës falë reformave ekonomike që u morën para krizës. Këto reforma kanë sjellë zgjerim të biznesit dhe rritje me 2.5 herë të bizneseve. Qeveria shqiptare vendosi të heqë çdo tarifë doganore mbi makineritë prodhuese dhe kjo bëhet me qëllimim më madhor,që të nxisim prodhimin,që të nxisim punësimin. Ky është një revolucion i vërtetë fiskal, shteti paguan sigurimet shëndetësore dhe shoqërore për të rinjtë që punësohen. Hidrocentralet janë vende të rëndësishme për punësim. Shqipëria do të vazhdojë të ketë rritje falë paketës së reformave që ne kemi ndërmarrë”, u shpreh Berisha.Elektorati demokrat do duhet të ketë ende durim për të mësuar se cilët do të jenë kandidatët që do propozohen nën siglën blu në zgjedhjet e 23 Qershorit, por nga kreu i PD-së Sali Berisha, kanë marrë një garanci, lista do të ripërtërihet, por largim të deputetëve me kontribut në parti nuk do ketë.“Në PD tha ai nuk mund të ketë as prerje kokash dhe as politikë terrori me deputetët, si prej kohësh po bën kreu i PS-së, Edi Rama. Kur Rama "preu kokën" e deputetit të Kukësit, imagjinoni "kokën" e Erjon Braçes. Rama po përgatit humbjen e radhës dhe bojkotin e parlamentit”.Kryeministri Berisha këmbënguli në faktin se vendimi i mazhorancës për të shkuar në referendum për 3 ligjt e integrimit, nuk ka tensionuar raportet me Brukselin, pavarësisht qëndrimit kundër të shprehur në mënyrë të përsëritur nga komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle.“Rama duhet ta interpretojë si thirrje për të votuar tre ligjet, fjalën e komisionerit Fyle. Ne do bëjmë gjithçka për zgjedhje të lira dhe të ndershme në 23 Qershor kurse Rama tenton të demonizojë zgjedhjet”, u shpreh Berisha.Kryeministri rikonfirmoi edhe një herë strategjinë e PD-së për një koalicion të gjerë, duke u shprehur i sigurt se partitë nuk do zgjedhin aleancat e pabesa të Edi Ramës.“Koalicioni ynë qeveritar, është më i suksesshmi dhe më i qëndrueshmi në këto 20 vite. Unë ju garantoj se koalicioni ka funksionuar pa asnjë dallim nga aleatët e tjerë. Partia Demokratike është e hapur për koalicione edhe me parti të tjera. Rama kishte kërkesa korruptive për aleancë me LSI-në. LSI-ja do të qeverisë me forcën politike që do krijojë qeverinë, LSI-ja trashëgiminë e qeverisjes e ka me Partinë Demokratike. Marrëdhëniet me Edi Ramën karakterizohen nga një pabesi”, tha Berisha.Duke komentuar çështjen e fotos së kupolës së policisë me të akuzuarin për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, Berisha tha se fotos po i bëhet një politizim primitiv. Sipas kreut të qeverisë ajo foto nuk përbën asnjë provë, sepse kur është shkrepur, ai ka qenë njeri pa preçedentë penal.“Fotoja e krerëve të policisë me Arben Frrokun nuk është provë. Po të nisemi nga fotot, Rama del anëtar i "Hakmarrjes për Drejtësi", tha Kryeministri.“Shpenzimin e parave të HEC-ve do e vendosë parlamenti shqiptar, një pjesë e parave do shkojnë për shlyerjen e borxheve ndaj kompanive por nuk do të rritet niveli i borxhit.”, ka përfunduar Berisha.Kryeministri Berisha ka refuzuar ftesën e kryesocialistit për një debat televiziv.