Prokuroria dorëzon kërkesën për Arben Frrokun dhe Jak Jakun
Prokuroria dorëzon kërkesën për ekstradimin e Arben Frrokut dhe Jak jakut nga Greqia.Bëhet me dije se Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ajo e Tiranës kanë dorëzuar dosjet në zyrën për marrëdhëniet me jashtë të Prokurorisë së Përgjithshme. Do të jetë kjo zyrë e cila brenda pak ditësh do të përpilojë dosjen për autoritetet greke. Në kërkesë do të jenë të renditura të gjitha provat si dhe dyshimet që janë ngritur mbi Frrokun dhe Jakun. Ndërkohë që edhe masat e marra në Gjykatën e krimeve të rënda për biznesmenin Frroku dhe në Gjykatën e Tiranës për Jak Jakun, do të jenë pjesë e provave për ekstradimin.Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme pritet të dorëzojë brenda javës dosjen në Ministrinë e Drejtësisë dhe do të jetë kjo e fundit që do tia përcjellë autoriteteve greke në Selanik. Dosjet për dy të dyshuarit për vrasjen e komisar Dritan Lamajt, janë hartuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ajo e Tiranës. Frroku po hetohet për vrasjen e ish shefit të komisariatit numër 6 në Tiranë, ndërsa masa ndaj tij u mor nga Gjykata e Krimeve të Rënda në mungesë. Kurse hetimet për Jak Jakun dhe vëllain e tij Ndue Jakun, po i kryen Prokuroria e Tiranës dhe dy vëllezërit akuzohen për armëbajtje pa leje dhe prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, pasi në shtëpinë e tyre në Domje të Tiranës u gjet një arsenal armësh dhe një sasi e konsiderueshme drogërash.Arben Frroku dhe Jak Jaku u arrestuan mëngjesin e 25 Shkurtit në Selanik të Greqisë dhe u lanë në burg për 40 ditë nga Gjykata greke për armëbajtje pa leje dhe posedim lëndësh narkotike. Ndërsa e gjithë kjo kohë do të shfrytëzohet nga autoritet shqiptare për ekstradimin e tyre dhe vënien para drejtësisë.