Rusmajli:Gjykata s`ka ndaluar importin e mbetjeve por vendosi për referendum

Kreu i komisionit të ligjeve Ilir Rusmajli ka reagur sot pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zhvillimin e njё referendumi kundёr importit tё mbetjeve.Në një deklaratë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit Rusmajli sqaroi se gjykata ka vendosur pro kërkesës për referendum dhe nuk ka ndaluar importin e mbetjeve.“Sot njerëz dhe media kanë hedhur idenë sikur Kushtetuesja me vendimin e vet ka ndaluar importin, ky është keqinterpretim me dashje i vendimit të Kushtetueses dhe përfitoj nga ky komunikim për të sqaruar thelbin e vendimit. Kushtetuesja është pjesë e procedurës ligjore për shqyrtimin e nismave për referendum. Ajo çmon nëse çështja që i shtrohet me kërkesë duhet ti drejtohet popullit dhe të vendosë populli apo jo, ajo as nuk ndalon dhe as nuk lejon. Ajo ka marrë një vendim të rëndësishëm që konfirmon të drejtën e shqiptarëve që përmes votës të vendosin për çështje që i vlerësojnë, nuk ka parashikuar vullnetin e shqiptarëve për të vendosu, u ka kaluar atyre të drejtën për të vendosur” tha Rusmajli.Sipas tij, Kushtetuesja e di që nga referendumi, për shkak të defekteve të kërkesës krijohet vështirësi, pasi kërkesa hap krahun për importin total të listës së plehrave, por Kushtetuesja duke respektuar të drejtën sovrane të shqiptarëve ka njohur edhe instrumentet që ka parlamenti, për të mos lejuar krijimin e situatave kaotike në vend.“Ne si maxhorancë respektojmë sikurse dhe Kushtetuesja të drejtën e shqiptarëve, e provuam edhe dje me kërkesën për referendum, demokracia e shëndoshë e përsos sistemin demokratik në vend. Efektet negative që mund të na vijë nga një kërkesë e tillë do të përballohen nga, jo shteg abuzuesve që e kanë me hile pozicionimin e tyre ndaj cështjes” shtoi ai.Debati për importin e plehrave ka nisur që në vitin 2011 kur Parlamenti miratoi një ligj të ri për trajtimin e mbetjeve urbane në të cilin ishin përfshirë edhe dy nene që lejonin importimin e tyre për qëllime riciklimi.Ambientalistët i kundërshtuan me forcë këto dy nene duke argumentuar se Shqipëria nuk ka mundësitë për kontrollet e nevojshme dhe se vendi sipas tyre mund të rrezikojë të kthehet në një destinacion për mbetjet e rrezikshme. Por sipas qeverisë, ligji është hartuar në përputhje me standartet europiane dhe janë vetëm 25 lloje mbetjesh që lejohet të hyjnë për qëllime riciklimi.Në fillim të vitit të shkuar, aktivistët e të drejtave të njeriut dhe ambientalistët mblodhën mbi 60 mijë firma, duke dorëzuar kërkesën për referendum.