Berisha:Adem Jashari e shndërroi Prekazin në "Krujën e dytë" të shqiptarëve

Me rastin e 15 vjetorit të masakrës së Prekazit, në Tiranë u mbajt një ceremoni përkujtimore në bustin e komandantit legjendar Adem Jashari, të vendosur në rrugën e Durrësit.Duke folur në ceremoninë përkujtimore, kryeministri Berisha theksoi se Adem Jashari e shndërroi Prekazin në "Krujën e dytë" të shqiptarëve."Sot mbarë kombi shqiptarë përulet me nderimin më të thellë para komandantit legjendar  Adem Jashari, burrit që me trimërinë, guximin mbinjerëzor, shndërroi Prekazin në Krujën e dytë të shqiptarëve.  Në këtë 15-vjetor, veprën e ndritur të Adem Jasharit e familjes së tij, shkëlqen më shumë se kurrë. Shqiptarët festuan 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë me kokën lart, me ndjenjën e krenarisë së ligjshme, gjë e cila pa veprën, pa heroizmin, pa sakrificën sublime të Adem Jasharit dhe të gjithë familjes së tij do të ishte e pamundur" tha Berisha.Në ceremoninë përkujtimore të masakrës së Prekazit, ku u vendosën kurora me lule pranë bustit të Adem Jasharit, merrnin pjesë kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryemisnitri Berisha, kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, Ambasadori i Kosovës në Tiranë  dhe  qytetarë të shumtë të cilët kanë  nderuar komandantin legjendar të Kosovës.