Fregata franceze "AMS Jean de Vienne" vizitë në Portin e Durrësit
Ankorohet sot në portin e Durrësit fregata franceze "AMS Jean de Vienne", e cila vjen në vendin tonë në kuadrin e një vizite portuale.Kjo vizitë është e përfshirë në Planin e Bashkëpunimit Ushtarak Dypalësh, Shqipëri-Francë për vitin 2013. Qëllimi i kësaj vizite është planifikimi i stërvitjes ndërmjet anijes franceze "AMS Jean de Vienne", anijes shqiptare "Iliria" P-131 dhe zhytësve të Forcave tona Detare.Pas bregëzimit të fregatës franceze në portin e Durrësit, komandanti i Komandës së Forcës Detare, gjeneral brigade Qemal Shkurti, do të presë në një takim të veçantë komandantin e anijes franceze, Kapiten i Rangut të Parë Pierre Yves Grente, ndërsa më pas komandanti i fregatës franceze do të pritet në takime të veçanta edhe nga kryetari i bashkisë së Durrësit dhe drejtori i portit të Durrësit.Në mesditë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, i ftuar nga komandanti i anijes franceze, Kapiten i Rangut të Parë Pierre Yves Grente, do të bëjë një vizitë në mjediset e anijes franceze "AMS Jean de Vienne".Vizita partuale e fregatës franceze "AMS Jean de Vienne" do të përfundojë më datë 7 mars 2013. Gjatë këtyre ditëve, përveç stërvitjes së përbashkët midis kësaj anije dhe anijes "Iliria" P-131, do të bëhen vizita në bordin e anijes franceze nga efektivë të Forcave Detare, vizita kulturore të personelit të kësaj anije në Portin e Durrësit, ndeshje futbolli ndërmjet ekipit të anijes franceze dhe ekipit të Shtabit të Forcës Detare etj.Fregata "AMS Jean De Vienne", është e treta anije franceze që bën vizitë në vendin tonë, vizita e fundit portuale është bërë para tre vjetësh. Në datën 7 mars do të zhvillohet një stërvitje e përbashkët ndërmjet fregatës "AMS Jean De Vienne" dhe anijes shqiptare "Iliria".Qëllimi i kësaj stërvitje është rritja e kapaciteteve të anijeve tona për nderveprueshmerinë me anije te NATO-s duke zbatuar standarde të njëjta veprimi. Forcat Detare shqiptare gjatë zhvillimit të vizitave portuale të anijeve të NATO-s, në programin e aktiviteteve, parashikojnë zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta për rritjen e shkallës së ndërveprueshmërisë ndërmjet tyre. Gjatë këtyre viteve stërvitje të këtij lloji janë zhvilluar me anije të SHBA, Sllovenisë, Turqisë etj.