Hiqet pezullimi i tregëtimit, Ministria e Bujqësisë: Qumështi i parrezikshëm
Qumështi shqiptar është i parrezikshëm për shëndetin e qytetarëve. Rezultatet e laboratorit të akredituar në Itali kanë rezultuar të njëjta me ato të ISUV.Si rezultat ministria e bujqësisë ka hequr pezullimin për tregtimin e sasive të bllokuara. Pjesa më e madhe e kampionaturave të qumështit të marra në tregun shqiptar kanë dalë në nivele më poshtë normativës së Bashkimit Europian, por ka pasur kampionatura që kanë dalë mbi këtë normativë."Në analiza kanë rezultuar lloje të qumështit me përmbajtje të Aflatoksinës 2 deri në 3 herë më shumë se niveli që rekomandohet në Bashkimin Europian, por theksojmë që këto nivele janë rreth 7 apo 8 herë më të ulta se niveli që lejohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada" thuhet në njoftim.Analizat tregojnë se brenda të njëjtit prodhues ka pasur kampionatura të ndryshme që kanë dalë me rezultate mbi dhe nën normativën e Bashkimit Europian.Rezultatet e analizave, tregojnë që prania e Aflatoksinës te qumështi prodhim shqiptar është pak a shumë në nivele të njëjta dhe në qumështin që prodhohet në vendet fqinjë dhe në rajon."Prania e Aflatoksinës përcaktohet të jetë e karakterit sezonal. Pavarësisht kësaj mbetet në fuqi vetëm pezullimi mbi tregtimin për ato parti qumështi të cilat rezultojnë me përmbajtje të Aflatoskinës mbi normativat e BE, që kanë destinacion eksportin në shtete që aplikojnë normën e Bashkimit Europian" thuhet në deklaratën e ministrisë.