Greqia bllokon linjat e autobusëve shqiptare, protestë në Kapshticë e Kakavijë
Shoqëritë shqiptare të Transportit kanë protestuar sot kundër vendimit të qeverisë greke për të pezulluar 22 linja autobuzësh Shqipëri-Greqi.Disa linja autobuzësh janë mbledhur mëngjesin e sotëm në Kapshticë dhe Kakavijë për të protestuar kundër këtij vendimi të palës greke i cili do të dërgojë drejt falimentit kompanitë shqiptare.Rreth 30 autobuzë të agjensive turistike nga Vlora, Saranda dhe Gjirokastra janë në radhë në anën shqiptare në doganën e Kakavijës duke krijuar një varg prej 1 km.Vendimi në fjalë ndalon aktivitetin e këtyre linjave duke nisur që nga mesdita e sotme, ndërkohë që një masë e ngjashme e ndërmarrë nga shteti grek në maj të vitit 2012 solli për pasojë ndërprerjen e një numri të konsiderueshëm linja autobusësh me Shqipërinë.Më 13 shkurt 2012 Ministria greke e Transportit ka ratifikuar një rezolutë për operacionet e transportit rrugor, ku u përcaktuan rregulla shtesë për vendet jo anëtare të Evropës.Vendosja e regjimit të ri me Shqipërinë u shty më pas deri më 28 shkurt të këtij viti, ndërkohë që para dy ditësh, regjimi i ri i operimit i është dërguar nga pala greke Ministrinë sonë të Transporteve për miratim.