Shitja e 4 HEC-eve, debate në Kuvend
Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot në një seancë jashtë radhe për ratifikimin e 4 HEC-eve, të Bistricës, Bistrica 1, Ulzës dhe Shkopetit.Seanca është shoqëruar me debate ku deputetët e opozitës kanë akuzuar maxhorancën për privatizim të nxituar për qëllim elektoral.Deputeti i PS-së Arben Ahmetaj e cilësoi seancën e sotme si ”funeral të pronës publike”.“Pasuritë publike po i jepet një privati falas. Kemi të bëjmë me strategji për të harxhuar pasuritë e shqiptarëve në fushatë elektorale” tha Ahmetaj.Ahmetaj theksoi më tej se ky privatizim është në vijimin të atyre që qeveria i bën në kundërshtim me interesin e shqiptarëve, çështje që sipas tij do të marrë zgjidhje menjëherë pas zgjedhjeve të 23 Qershorit.Ndërkohë, në replikë me deputetin Ahmetaj, ministri i ekonomisë Edmond Haxhinasto i ka cilësuar si të pabaza akuzat. Sipas tij procedura e ndjekur për privatizimin e 4 HEC-eve është në përputhje të plotë me ligjin."Deklaratat që po bëhen nga zotëria janë të pavërteta dhe manipulime. Sot diskutojmë për ratifikimin e një procesi dhe jo për ligjin për privatizimin e këtij procesi pasi ky ligj ka 2 vjet që ka kaluar në Parlament. Së dyti sa u takojnë dokumentave të politikave të privatizimit. Është edhe në strategjinë e PS ku thuhet qartë se pas privatizimit të sektorit të energjisë elektrike do kalohet në liberalizimin e sistemit " tha Haxhinasto.Sipas ministrit, kjo është vazhdimësi e qartë e politikave të filluara prej opozites dhe është në vijim të privatizimeve në vitin 200-2005 ku u dhanë koncesion 31 HEC dhe u shitën 15.“Pse është e nevojshme. I nevojitet buxhetit të shtetit, që është i gjithë shqiptarëve, dhe nga privatizimet përfitojnë gjithë shqiptarët për shkolla spitale rrugë etj., Nga pikëpamja strategjike rëndësia e këtyre HEC-eve ka rënë, pasi po ndërtohen shumë të tjera, me kapacitet shumë më të larta. Sa i takon çmimit që ju flisni, ai është mbi mesataren e shitjes së HEC të ngjashme. Çmimi mesatar është 1.4 milion euro për megavat. Sa i takon transparencës, është krejtësisht e plotë. Sa i takon punësimit është pjesë e marrëveshjes, që i gjithë detyrimi për të mbajtur në punë punëtorët është pjesë e saj”, tha Haxhinasto.