Ina Rama: Nuk i hyj politikës
Ish Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, nëpërmjet një deklarate, mohoi zërat për përfshirjen e saj në politikë.Ajo thekson se pas përfundimit të ushtrimit të funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm, në mesin e muajit janar, ka paraqitur zyrtarisht pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë një kërkesë për t’i propozuar Presidentit të Republikës emërimin si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë.“Për këtë kërkesë gjithashtu kam bërë me dije zyrtarisht edhe Presidentin e Republikës, Z. Bujar Nishani. Kjo kërkesë është mbështetur në garancitë që jep neni 7 i ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, për Prokurorin e Përgjithshëm që mbaron mandatin e tij kushtetues dhe në faktin që para kësaj detyre, kam ushtruar funksionet e gjyqtares së Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Përtej të drejtave që jep ligji i mësipërm, kjo kërkesë mbeshtetet në vullnetin tim për të vazhduar dhe ndjekur profesionin tim, brënda sistemit gjyqësor, pjesë përbërëse e të cilit kam qenë që nga fillesa e karrierës time.Këto fakte tregojnë qartë për mungesën e interesit tim për tu përfshirë në ndonjë projekt politik dhe për ekzistencën e plotë të dëshirës sime për të mbetur pjesë e sistemit të drejtësisë. Për më tepër mbetem në pritje që Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ta trajtojnë këtë çështje dhe të marrin një vendim lidhur me kërkesën që kam paraqitur” thekson ish kryeprokurorja Ina Rama.