Incidentet në Maqedoni, PDIU:Shqiptarët do reagojnë si komb

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitetit ka reaguar ndaj incidenteve të fundit kundër shqiptarëve të Maqedonisë.Në një deklaratë për shtyp, PDIU-ja thekson se kushdo qoftë pas këtyre incidenteve do bëhet përgjegjës për pasojat e spirales së dhunës ndëretnike."Gjatë incidenteve të fundit ndëretnike në Maqedoni, me pretekst gjoja politik, është regjistruar dhe po regjistrohet dhunë, por ka diçka që nuk mund të tolerohet. Grupe huliganësh maqedonas kanë rrahur fëmijë shqiptarë në një akt burracak, diçka e paimagjinueshme në Europën e qytetëruar. Mbrapa sulmit ndaj fëmijëve, ngjan se ka diçka që është rreptësisht e planifikuar. Të sulmosh fëmijët e një etnie tjetër, do të thotë të jesh i vetëdijshëm për spiralen e dhunës ndëretnike, dhe pasojat e saj. Për më shumë kur kjo dhunë nxit sentimentet njerëzore dhe kombëtare, të të gjithë shqiptarëve, jo thjesht të atyre që jetojnë në Maqedoni. Shqiptarët po reagojnë si komb dhe do të reagojnë gjithmonë si komb ndaj akteve kaq  të turpshme dhe kriminale !” thuhet në deklaratë.Sipas PDIU-së përballë aktesh të tilla, askush nuk duhet të qëndrojë indiferent, përfshi dhe autoritetet shtetërore të vendit fqinj, të cilat duhet të ndërmarrin reagime të forta  dhe të menjëhershme të frymëzuara nga ndjenja e drejtësisë që do të shmangnin skenarët më të këqinj.“Nëse këto reagime janë inskenime të faktorit maqedonas, pa dallime partiake kjo tregon se në shoqërinë maqedonase ka shumë urrejtje për shqiptarët, që është aq e madhe, sa planifikuesit nuk duan t'ja dinë për pasojat që mund t'i krijohen stabilitetit të shtetit maqedonas dhe ekzistencës së tij për shkak të reagimit të shqiptarëve. Kjo urrejtje duhet të jetë diçka që duhet të marrë fund njëherë e mirë. Shqiptarët janë të interesuar për ekzistencën e Maqedonisë si shtet, por nëse vetë maqedonasit nuk janë të interesuar, atëherë përgjegjësia për gjithçka bie mbi ta” thekson më tej PDIU.Sipas kësaj force politike, në ngjarjet e Maqedonisë, mund të ketë dhe faktorë të jashtëm, të cilët edhe nëse nuk janë nxitës të veprimeve të para të dhunshme ndaj shqiptarëve, mund të jenë inkurajues të tyre, pikërisht duke llogaritur pasojat e spirales së dhunës ndëretnike.“Mund të jetë dikush jashtë Maqedonisë, që kërkon të provokojë shqiptarët, duke i nxitur të reagojnë në mënyrë të shpërpjesëtuar, për t'i treguar me gisht ata si destabilizues të rajonit. Në të gjithë rastet, kush qëndron prapa sulmeve, nuk ka llogaritur si duhet reagimin e shqiptarëve si komb ndaj provokimeve kësisoj. Qeveria maqedonase që ka në dorë ndëshkimin e fajtorëve dhe është përgjegjëse për ruajtjen e stabilitetit, duhet të ndërhyjë me forcë dhe me drejtësi që këto akte të marrin fund, përndryshe nesër do të jetë vonë” përfundon deklarata.