Ministria e Jashtme reagon për ngjarjet në Maqedoni

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë konsideron se akti i rrahjes barbare të nxënësve shqiptarë dhe përshkallëzimi i dhunës gjatë ditës së djeshme e të sotme në disa rajone të Shkupit në Republikën e Maqedonisë, përbëjnë pamëdyshje jo vetëm akte kriminale të patolerueshëm, por edhe një  tronditje serioze për vlerat themelore të një shoqërie multietnike dhe demokratike.MPJ duke uruar shërim të shpejtë dhe të plotë nxënësve e të rinjve shqiptarë të lënduar dhe duke shprehur solidaritet me familjet e tyre, dënon pa ekuivok dhe me forcë çdo incident e akt dhune. Apelojmë që autoritetet e vendit të ndërmarrin masa të menjëhershme për zbulimin dhe dënimin e autorëve, si dhe të përkujdesën që këto raste mos të përsëritën. Forca e ligjit duhet të veprojë ndaj kujtdo që kryen apo mbështet akte të tilla dhune.MPJ shpreh shqetësim se rishfaqja e incidenteve me sfond etnik dhe rritja artificiale e tensioneve e në Republikën e Maqedonisë, është  sinjal alarmi për të gjithë ata që të ardhmen e rajonit tonë e shohin në famijlen e Bashkimit Evropian dhe jo në një rikthim tek e shkuara e tensioneve apo konflikteve etnike.Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë në Maqedoni dhe veçanërisht faktorëve politikë shqiptarë të tregojnë maturi, pjekuri dhe veprim politik të përgjegjshëm.Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se dialogu konstruktiv, fryma e tolerancës, mirëkuptimit, si dhe bashkëpunimit efektiv mes të gjitha forcave të shoqërisë, për gjetjen e zgjidhjeve për çdo problem a situatë të brendshme të vështirë, është rruga e vetme në shërbim të stabilitetit të vendit, të integrimit të tij në strukturat evropiane dhe euroatlantike si interes madhor i të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, dhe rajonit gjithashtu.