Kukës, Liqeni i ndotur, asnjë masë për pastrimin e tij
E gjithë sipërfaqja e liqenit të Fierzës në Kukës është ndotur, por për këtë asnjë prej institucioneve nuk ka ndërhyrë, duke lënë në mëshirë të fatit jo vetëm ujërat por duke vënë në rrezik edhe faunën e liqenit.Ndotja masive e liqenit tashmë është kthyer në një shqetësim për banorët e Kukësit, të cilët konsumojnë peshkun që merret nga ky liqen por për këtë çështje asnjë prej instancave nuk ka ndërhyrë duke e hedhur përgjegjësinë sa në një institucion në tjetrin.Këto mbeturina vijnë e grumbullohen në basenin e Fierzës nga Kosova e Maqedonia, përmes Drinit të Zi e Drinit të Bardhë, duke qenë se ujërat grumbullohen në këtë liqen e më pas shfrytëzohen për prodhim energjie nga hidrocentrali i Fierzës.Sipërfaqja e këtij liqeni në territorin e Shqipërisë është 64 km2, ndërsa gjithsej sipërfaqja po të llogaritim edhe pjesën e liqenit në Kosovë shkon në 71 km2.Specialistët e ekosistemit shpesh herë kanë ngritur zërin për situatën që po përjeton ky liqen, pasi ndotje të tilla dëmtojnë rëndë ekosistemin e tij por edhe ambjentin në të cilin ujërat e liqenit prekin bregun.