Proçeset e zvarritura gjyqësore në Shqipëri

Në 2 vitet e fundit ka patur një fluks kërkesash gjyqësore drejtuar Gjykatës së Strasburgut , nga subjekte e individë të cilët nuk kanë gjetur zgjidhje në gjykatat shqiptare dhe kanë humbur besimin në sistemin e drejtësisë.Vetëm në 2 vitet e fundit në këtë Gjykatë janë depozituar 80-100 padi, që nga konfliket e pronës e deri në çështje që kanë zgjatur deri në 15 vjet të pazgjidhur në Shqipëri. Por kjo rritje kërkesash e detyroi Strasburgun të pezullojë për një kohë të pacaktuar trajtimin e çështjeve të tilla. Instituti për studime Gjyqësore dhe Kushtetuese sipas një studimi nga një projekt 6 mujor, ka evidentuar se dhjetra çështje nuk janë shqyrtuar brenda afatit kushtetues dhe se individët janë sorollatur sa në Gjykatën e shkallës së Parë, në Gjykatën e shkallës së Dytë deri në Gjykatën e Lartë dhe pa një zgjidhje.Fehmi Abdiu, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, tha se është e rëndësishme të rishikohet Legjislacioni Civil, Penal e Administrativ, ku të merren parasysh edhe rekomandimet  nga përfundimi i këtij studimi.Një tjetër hendek në këtë proçes është edhe fakti se Gjykata Kushtetuese, nuk ka as kompetencën me ligj për të penalizuar gjykatat në rast të zvarritjeve apo shkeljeve të afatit, në anën tjetër as kompetencën për të dëmshpërblyer personat, pikë kjo që kërkohet të rishikohet në legjislacionin e gjyqësorit.