Berisha në Elbasan: Nuk ka asgjë më parësore se edukimi i fëmijëve tanë

Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar paraditen e sotme një bashkëbisedim me mësues dhe pedagogë të qytetit të Elbasanit.Fjalën e tij përpara mësuesve dhe pedagogëve, kryeministri Berisha e ka hapur duke shprehur nderim për misionin fisnik të mësuesit.“Dëshiroj tu falenderoj dhe të shpreh nderimin tim më të madh për punën tuaj të shkëlqyer në misionin tuaj fisnik. Unë dua tu garantoj se në të gjitha përpjekjet tona për projektin Shqiparia vend i zhvilluar ju mësuesit dhe mësueset e këtij vendi, shkollat dhe edukimi jeni në epiqendër të të gjitha përpjekjeve tona. Vetëm një shqipëri e bazuar mbi dijen do mund të jetë një Shqipëri e zhvilluar. Shqiptarët janë njerëzit me pasionin më të madh për arsimin, më arsimdashësit. Prindërit në shqipëri sakrifikojnë për edukimin dhe shkollimin e fëmijëve të tyre, ndofta më shumë se kudo tjetër në botë. Një punë e madhe duhet bërë për të dalë në nivelet më të larta të arsimit. Për 7 vjet ne kemi faktuar se ne nuk kemi asgjë më serioze dhe më të rëndësishme se sa edukimin dhe shkollimin e fëmijëve tanë.” Është shprehur Berisha“ Pak vite më parë ne u betuam solemnisht se do të vendosnim mësuesin në piedestalin që meriton dhe se reformën e arsimit ne do ta bazojmë tek mësuesit e këtij vendi, tek roli, performance dhe kushtet e tyre. Ne kemi rritur rrogat e mësuesve në një masë që nuk e ka rritur në përqindje asnjë vend tjetër në Europë. Ne mendojmë se këto rritje janë plotësisht të merituara dhe do të vazhdojnë për sa kohë ne do të jemi në pushtet, sepse për ne shkolla është jetike dhe vendimtare për ndërtimin e një Shqipërie të bazuar mbi dijen. Kemi një rrugë jo të lehtë për të bërë.”“Ne u zotuam se do të ketë internet në çdo shkollë, dhe sot pas 7 vitesh nga 40 shkolla me internet janë 2000 të tilla në të gjithë vendin, nga 70 shkolla me kabinete informatike sot janë të gjitha shkollat me kabinete të tilla. Unë u premtoj se çdo sukses i teknologjisë së informacionit do të aplikohet para së gjithash në shkolla", është shprehur Berisha.”