Meta i përgjigjet Ramës: Koalicionet, në themel votën e qytetarëve
Çështjet e integrimit dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare kanë qënë në foksus të takimit mes kreut të LSI-së Ilir Meta me ambasadorët e Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë.Në një prononcim për mediat pas takimit, Meta theksoi se ka shprehur qartë se prioriteti i LSI-së është integrimi i vendit në BE dhe një proces zgjedhor transparent dhe i ndershëm."Ishte një takim interesant me ambasadorët e Bashkimit Evropian në Tiranë. Kemi diskutuar për zhvillimet më të fundit politike, por edhe për ato të ardhshmet, për çështje që kanë të bëjnë me integrimin evropian, natyrisht edhe për të gjitha sfidat për të pasur një proces zgjedhor maksimalisht transparent dhe të pranueshëm nga të gjithë. Natyrisht që ka qenë një bisedë mjaft interaktive, edhe me pyetje-përgjigje për çështje të ndryshme politike, ekonomike. Angazhimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim është shprehur në mënyrë të qartë. Prioritet kryesor mbetet avancimi i integrimit evropian, përpara zgjedhjeve por edhe pas tyre dhe njëkohësisht një proces maksimalisht transparent dhe i ndershëm zgjedhor, si një kontribut tjetër për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian por edhe hapjen e ardhshme të negociatave” tha Meta.I pyetur në lidhje me një koalicion me PS-në, Meta është shprehur se forca që drejton është e hapur për të bashkëpunuar me gjithë forcat politike për integrimin."Ne e respektojmë mendimin e cilitdo. Qëndrimet tona kanë qenë publike dhe do të mbeten të tilla. Ne jemi të angazhuar për të plotësuar të gjitha detyrimet dhe angazhimet tona në këtë mazhorancë dhe në këtë qeverisje dhe jemi shumë të hapur për të bashkëpunuar me të gjitha forcat politike, duke përfshirë këtu natyrisht edhe Partinë Socialiste, për të çuar përpara proceset e integrimit evropian, për të miratuar 2 ligjet dhe rregulloren, aq më tepër që ligji për Gjykatën e Lartë është shumë i rëndësishëm edhe për krijimin e Gjykatës Administrative, që kërkohet edhe nga komuniteti ynë i biznesit, nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga investitorët e huaj. Natyrisht që koalicionet e ardhshme do të kenë në themel të tyre votën e qytetarëve shqiptarë" tha Meta.Sipas Metës, BE është e interesuar për të parë zgjedhje, transparente të lira dhe të pakontestuara.“BE është i angazhuar në këtë drejtim dhe kjo është mëse normale, zgjedhjet janë vlerësuar si test i rëndësishëm dhe janë ashtu. Unë kam shprehur angazhimin për të pasur një monitorim sa më te gjerë, ne nuk kemi asgjë për të fshehur” tha Meta.I pyetur nga “Ora News” se pse mungoi firma e tij në kërkesën e 66 deputetetëve për referendum popullor për 3 ligjet e integrimit, Meta u shpreh se: "Natyrisht që firma e z. Tavo është shumë e rëndësishme, por këtu nuk jemi për të folur për numrin e firmave dhe për çështjen e firmave. Sigurisht që referendumi është një instrument demokratik, kur nuk ekziston mundësia dhe hapësira për mënyrë të tjera, por është i rëndësishëm për të gjithë procesin e integrimit evropian jo vetëm miratimi i këtyre dy ligjeve dhe i rregullores, që është konsideruar si një minimum i domosdoshëm, por kërkohet edhe një klimë më bashkëpunuese, për të cilën jo vetëm qeveria por edhe opozita duhet të marrë dhe të demonstrojë përgjegjësitë e saj".