Kryeministri Berisha inauguron shërbimin elektronik e-Matura
Kryeministri Berisha ka inaguruar sot në shkollën “Petro Nini Luarasi” shërbimin elektronik e-Matura në portalin qeveritar e-Albania.Inaugurimin e këtij portali, Kryeministri Berisha e cilësoi të një rëndësie shumë të madhe për të gjithë vendin. “Janë rreth 340 shërbime shtetërore, qeveritare, të cilat do t’u ofrohen qytetarëve shqiptarë”, tha Kryeministri, duke shtuar se “ky do të jetë portali i One Stop Shop për të gjitha kërkesat dhe për të gjitha aplikimet e qytetarëve”.Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se “nuk do të lëmë përpjekje pa bërë, nuk do të lëmë projekt pa zbatuar që të kapim çatinë e botës sa i përket moshës dixhitale dhe në mënyrë që qytetarët të marrin shërbimin më të shpejtë, më transparent dhe të fitojnë kohën më maksimale”.Gjithashtu, Berisha theksoi se zhvillimi i teknologjisë së informacionit është një levë e fuqishme e zhvillimit ekonomik. “Është e faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme se një përqindje e vogël e rritjes ekonomike përcaktohet nga zhvillimi i shoqërisë së informacionit. Të gjitha shërbimet e portalit e-Albania do të jenë të disponueshme në telefonin celular dhe në kompjuter. Qëllimi ynë është: katërvjeçari i ardhshëm, m-Albania. M-Albania, sepse telefoni celular është një kompjuter në xhep dhe është një lehtësi shumë e madhe”, tha Kryeministri.Ai u shpreh gjithashtu, se do të bëhet çdo gjë, do të krijohet çdo kusht që studiuesit shqiptarë të dëgjohen në mbarë botën në fushën e ICT-së. “Qëllimi kryesor është që Shqipëria të jetë një qendër e rëndësishme rajonale në teknologjinë e informacionit. Të bëjmë që ashtu siç kemi mendjen, të mprehtë, brilante, edhe soft-et që do të hartojmë ne të njihen në mbarë botën”, u shpreh Kryeministri.Portali unik qeveritar e-Albania është pjesa qendrore e një bashkimi solid të qeverisë në aspektin e shërbimeve elektronike të ofruara ndaj qytetarit dhe biznesit. Portali është projektuar që të ndërveprojë si një qark inteligjent, duke shërbyer si një pikë e vetme aksesi për qytetarët, për të gjitha shërbimet e ofruara nga administrata publike dhe institucionet përfaqësuese të saj.Ndërkohë, sot është inaguruar shërbimi i parë në këtë portal, atë të maturës elektronike e cila nëpërmjet sistemit të Interoperabilitetit arrin të përthithë të dhënat e qytetarit, nxënësit në këtë rast në mënyrë unike duke i siguruar atij një identifikim 100% të saktë, në kohë reale dhe të sigurtë.