Berisha në Divjakë: Deri në 23 Qershor ju qytetarët jeni dhe do të jeni kryeministri im
Kryeministri Sali Berisha në një bashkëbisedim që ka patur me fermerët e Divjakës, ka folur për rëndësinë e prodhimeve bujqësore, si prodhime me një rëndësi kapitale.Në fjalën e tij përpara fermerëve të Divjakës Berisha u shpreh: “ Ne do të hartojmë vizionin më të mirë për një Divjakë dhe për një Shqipëri akoma më të zhvilluar. Deri tani kemi mbështetur me grante dhe me kredi mbi njëmijë fermerë të Divjakës. Ne kemi faktuar përkushtimin tonë ndaj jush dhe mbështetjen tonë për fermerët. Në Divjakë ne kemi dyfishuar lidhjet me investimet në infrastrukturë. Por unë dëshmoj vendosmërinë time dhe të qeverisë se 4 vitet e ardhshme do të bëjmë gjithëçka për një mbështetje të gjithanshme dhe të fuqishme. Prodhimi bujqësor dhe zhvillimi rural i vendit është i një rëndësie kapitale. Kjo krizë botërore tregon se është një gabim me pasoja shumë të rënda n.q.s. hiqet dorë nga prodhimet e mundëshme që një vend mund të bëjë. Kjo krizë fakton se prodhimi dhe punësimi duhet të jenë qëllimet më kryesore të çdo qeverie, të çdo shoqërie, të çdo vendi dhe ne i përmbahemi kësaj. Në vitet që vijnë ne do të bëjmë gjithëçka të shumfishojmë prodhimin tuaj. Kam kënaqësinë tu informoj se në 6 vitet e fundit, eksportet bujqësore, nga 66 milion dollarë që kanë qenë, kanë arritur në 164 milion dollarë. Por unë nuk jam i kënaqur me këtë, sepse kam bindjen se potenciali ynë është mbi 10 herë më shumë. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ekonominë shqiptare, sepse balancon atë që quhet bilanc pagesash, raportet midis eksporteve dhe importeve. Deri sot ky balance është i çrregulluar, është mbuluar në një mënyrë nga paratë që kanë dërguar emigrantët, por është në detyrën tonë të bëjmë gjithëçka për të siguruar këtë balancë nëpërmjet prodhimeve tona. Ashtu siç kam deklaruar dhe në të gjitha takimet e tjera që kam zhvilluar, deri në datën 23 Qershor ju qytetarët jeni dhe do të jeni kryeministri im.”ka përfunduar Berisha fjalën e tij.